SPAK thotë se ka mundur të sigurojë prova se vila në Palasë është pasuri e fshehur e Belinda Ballukut dhe se shpenzimet për punimet e fazës së dytë janë paguar nga Arbër Abazi.
Lorela Reçi, bashkëjetuesja e biznesmenit që fitonte tendera nga ish-ministrja e Infrastrukturës, Balluku, është njeriu që ka ndjekur të gjitha punimet e vilës.
Çifti Abazi–Reçi zotëron një vilë në Palasë dhe, paralelisht, bashkëjetuesja e biznesmenit merrej si me punimet e vilës së tyre, ashtu edhe me atë të ish-zëvendëskryeministres, ndonëse prona ishte porositur nga Igli Tare. SPAK thotë se vila u financua nga Tare derisa ishte karabina, më pas nga kompania “Alko Impex” e Abazit, e cila kishte fituar tenderin e lotit 7 të Unazës së Madhe.
E-mailet për punimet në vilë
Siç rezulton nga hetimet e SPAK-ut, Igli Tare ka firmosur kontratë me kompaninë ndërtuese për dy vila në Palasë, 188/1 dhe 188/2.
Në vilën 188/1, që dyshohet si pasuri e fshehur e Ballukut, sipas kontratës, deri në fazën e karabinasë është investuar shuma prej 250 mijë eurosh nga Igli Tare.
Investimi për ndërtimin e mëtejshëm të vilës është marrë përsipër nga Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, kompani e cila rezulton se është favorizuar nga Belinda Balluku dhe vartësit e saj për të fituar tenderin për ndërtimin e lotit 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës.
Për ta provuar këtë, SPAK-u ka administruar dokumente të ndryshme, e-maile dhe biseda telefonike. Kështu, rezulton se Lorela Reçi, bashkëjetuesja e Arbër Abazit dhe lidhje familjare e Belinda Ballukut, ka firmosur dokumentin “formular-deklaratë punimesh”. Pra, në këtë mënyrë provohet lidhja e parë e Ballukut me pronën e fshehur në bregdetin e Palasës.
Më tej, SPAK-u ka analizuar komunikimet mes punonjësve të shoqërisë sipërmarrëse “Green Coast”, punonjësve të shoqërisë ndërtuese të vilës 188/1, “Mane TCI”, punonjësve të kompanisë “Alko Impex General Construction” – kompania e Arbër Abazit që ka fituar tenderin – si dhe shtetases Lorela Reçi, bashkëjetuese e Abazit dhe njëkohësisht lidhje familjare e Belinda Ballukut.
“Në biseda flitet në lidhje me ndryshimet në strukturën e objektit, planifikimin e punimeve të tjera të ndërtimit të kësaj vile pas përfundimit të karabinasë dhe ndërtimin e pishinës”, thuhet në dokumentin e GJKKO-së.
Në një e-mail të janarit 2022, bashkëjetuesja e Abazit i shkruan një punonjëseje të kompanisë “Mane TCI” të Samir Manes:
“Përshëndetje M…
Kërkoj leje për të sjellë grupin tim të punës për të përfunduar punimet në vilën 178/2 dhe 188”.
Punonjësja e kompanisë e informon bashkëjetuesen e Abazit se njësia është planifikuar të përfundojë në prill 2022. “Aktualisht po vazhdohet me punimet e muratorëve”, shkruan ajo. Më pas, kërkon sqarime lidhur me ndryshimet që kërkon Lorela Reçi. Por më vonë, në adresë të kësaj punonjëseje, e cila i kujton Reçit se mund të bëhen punime të ndërthurura, vjen një e-mail nga një tjetër kolege e saj, po nga kompania “Mane TCI”. Përmes këtij e-maili bëhet me dije se “me konfirmim të investitorit do të lejohen klientët t’i bëjnë vetë punimet në vila”.
“…Të lutem, krijoju mundësinë që klienti të vazhdojë vetë punimet…”, thuhet në këtë e-mail.
Për punimet në vilat ku investon Abazi kujdeset arkitekti Rineldi Xhelilaj. Ai komunikon me punonjësit e kompanisë së Manes dhe koordinohet me ta për mbarëvajtjen e punimeve.






















