Politika 10 September 2026, 14:56 Nga VNA

Rama mbron Veliajn para vendimit të Gj. Lartë, ul Dokushin në rresht të parë: Populli po vuan nga arrestimi yt

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-09-10 at 2.56.28 PM.jpeg

Në një dalje publike, sot Kryeministri Edi Rama zgjodhi të hedhë fajin mbi institucionet e drejtësisë për ngadalësimin e procesit të rindërtimit pas tërmetit të 7 viteve më parë, duke i dalë krah kryebashkiakut të arrestuar 19 muaj më parë, Erion Veliaj.

Deklaratat u bënë teksa Rama kishte ulur në rresht të parë, krahas kryebashkiakëve të tjerë, Alban Dokushin, krahun e djathtë të Veliajt, të cilin Rama e pat shkarkuar pas arrestimit por që tani është rikthyer sërish.

Në retorikën e tij, Rama e konsideroi procesin ndaj Veliajt si një precedent më të rëndë se rastet e njohura ndërkombëtare të ndalimit të drejtuesve vendorë në Turqi apo Hungari:

"Do ti japim fund historisë së pafundme të rindërtimit. Që nga Kombinati deri te 5 Maji dhe çfarë ka mbetur tjetër.

Që kur Bashkisë së Tiranës iu pre koka për arsye që dihen dhe për mos-arsyet që nuk dihen, unë mendoj që viktimat e para dhe më të pafajshme të kësaj kokëprerjeje të padëgjuar në historinë e Bashkimit Evropian dhe të Evropës... të vendeve të Evropës që hyjnë në Këshillin e Evropës... s'ka asnjë rast. Këshilli i Evropës ka dy raste, më saktë Gjykata e Strasburgut, dy, të cilat që të dyja ka shpallur arbitrar mbajtjen në paraburgim të një kryetari njësie bashkiake diku në Hungari dhe të një kryetari bashkie në Turqi, dhe është rasti i Shqipërisë që është rast që është shumë më i rëndë dhe shumë më i mbrapshtë se sa ato dy raste të tjera".

Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë përpara se Gjykata e Lartë të shqyrtojë masën e sigurisë për Veliajn, duke ngritur pikëpyetje mbi qëllimin e këtij komunikimi publik në një moment delikat gjyqësor.

Përmes kësaj narrative, Rama përpiqet t'i faturojë hetimeve të SPAK-ut vonesat në projektet e strehimit në zonat e dëmtuara nga tërmeti, si Kombinati e 5 Maji, duke e paraqitur mungesën e kryetarit të bashkisë si pengesën kryesore administrative:
 "Heqja e kokës dhe eksperimenti social, legal, ekonomik, politik i drejtimit të një kryeqyteti pa kokë ka sjellë shumë viktima. E kanë paguar me dëme kolosale kategori sociale në Tiranë, ku më e prekur është ajo e familjeve që presin më në fund t'u jepet çelësi sepse janë viktima të tërmetit. Mos flas për viktimat e tjera. Eksperiment jashtëzakonisht i rëndë dhe totalisht i dështuar"

Kjo qasje e paraqet Veliajn si të vetmin funksionor të aftë për të çuar përpara punët publike, duke anashkaluar faktin se pushteti vendor funksionon mbi bazë strukture administrative dhe jo mbi një person të vetëm.

Prapaskena politike në Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Veliajt tregon një dinamikë të ndryshueshme kontrolli. Ndërsa publikisht flitej për një "institucion pa kokë", Rama vetë mori pjesë drejtpërdrejt në orientimin e drejtimit të bashkisë, duke mbështetur caktimin e Anuela Ristanit si kryetare në detyrë dhe duke e mbrojtur atë gjatë përplasjeve të brendshme administrative.
Ndryshimet e fundit në stafin drejtues sinjalizojnë kompromise të reja brenda strukturave. Në takimin e fundit me kryebashkiakët, në rresht të parë ra në sy prania e Alban Dokushit, krahut të djathtë të Veliajt, të cilin Rama e pat shkarkuar pas arrestimit por që tani është rikthyer sërish. Ky rikthim ka ecur paralelisht me largimin e Anuela Ristanit nga bashkia, duke konsoliduar një ekuilibër të ri politik mes Ramës dhe Veliajt.

Lëvizjet e fundit retorike dhe administrative tregojnë një përpjekje për të balancuar kostot politike të procesit gjyqësor me menaxhimin e pushtetit vendor. Në vend të pranimit të përgjegjësisë për ecurinë e punëve publike në kryeqytet, vëmendja po zhvendoset te narrativi i "eksperimentit të dështuar", në një kohë kur pritet fjala e fundit e drejtësisë.

Lexo gjithashtu

Video

Shkrirja e ASHK dhe ATP në një Agjenci të re Pronash/ Valdrin Pjetri drejt drejtimit të "super-agjencisë"

Nuk dimë kush na dhimbset më shumë, Veliaj apo votuesit.

Kryeministri ka harruar që ka të paktën 25 vjet që drejton Bashkinë e Tiranës.

Fillon mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, të cilët do të diskutojnë ngërçin e krijuar për pagat. Të pranishëm janë 271 gjyqtarë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme