Çdo pronar në Shqipëri duhet të tregojë kujdes maksimal dhe të jetë mjaft i vëmendshëm gjatë kësaj periudhe, pasi gjithçka në lidhje me pasuritë e paluajtshme në proces dokumentimi do të rishikohet nga e para.
Qeveria ka përgatitur një projektligj të ri të siguruar nga VNA për ndryshimin e ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”.
Nisma e re, e cila ndodhet ende në fazë konsultimi publik dhe nuk ka kaluar për votim në Kuvend, vjen në kuadër të paralajmërimit të Kryeministrit Edi Rama për një paketë me dy ligje kryesore: një që parashikon shkrirjen e Kadastrës dhe një të dytë që synon të krehë e verifikojë të gjitha pronat një nga një, për çdo tokë e ndërtesë në vend.
*Afate ultimatum për tokën bujqësore dhe kërcënimi me refuzim përfundimtar*
Sipas projektligjit të ri, procedurat administrative për kalimin e tokës bujqësore pa shpërblim nga përdorimi në pronësi nuk do të lihen më pa afat. Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të hartojë listat e përdoruesve faktikë për çdo ish-kooperativë apo ndërmarrje bujqësore dhe do t’i kalojë ato për miratim në Këshillin Bashkiak. Në rastet kur kërkuesi mungon, nuk bashkëpunon apo nuk paraqitet në terren për matjet, Kadastra do të bëjë njoftim publik brenda 10 ditëve. Nëse qytetari nuk i përmbush detyrimet brenda 30 ditëve nga ky njoftim, procedura pezullohet automatikisht për 60 ditë. Pas kalimit të këtij afati 60-ditor pa reagim nga subjekti, Kadastra merr vendim për refuzimin përfundimtar të kërkesës.
*Përjashtim i menjëhershëm nga legalizimi për ata që pengojnë matjet*
Ndryshimet ligjore sjellin penalizime të rrepta për të gjithë poseduesit e ndërtimeve pa leje që bëhen pengesë gjatë punës në terren. Nëse poseduesi i një objekti me veprime konkrete pengon punonjësit e Kadastrës gjatë përditësimit të gjendjes ndërtimore, institucioni vendos automatikisht përjashtimin e tij nga procesi i legalizimit. Nga ana tjetër, për ndërtimet pa leje ku nuk arrihet të identifikohet poseduesi, bëhet njoftim publik 10-ditor dhe nëse brenda 90 ditëve nuk paraqitet asnjë kërkues me dokumentacion provues, Kadastra vendos moslegalizimin dhe ia kalon dosjen autoriteteve të kontrollit të territorit për masa të mëtejshme.
*Rregullat e reja për ndërtimet mbi 6 kate në tokë private*
Për objektet e banimit të ngritura mbi tokë private të të tretëve ku dokumentet e planifikimit të territorit parashikojnë ndërtime lartësisë mbi 6 kate, Kadastra do të miratojë legalizimin vetëm për godinën dhe jo për truallin. Përpara marrjes së lejes, kërkuesi detyrohet të dorëzojë një deklaratë noteriale ku pranon se sipërfaqja takuese në godinën e re që do të ndërtohet në të ardhmen do të përcaktohet me marrëveshje me pronarin e truallit ose investitorin. Nëse kjo marrëveshje mungon, përfitimi bëhet sipas normave të strehimit për familjet e pastreha, ndërsa refuzimi i dorëzimit të deklaratës noteriale çon në përjashtimin e plotë nga legalizimi.
*Zgjidhja e mosmarrëveshjeve në pallatet e ndërtuesve dhe regjistrimi pa përfitues*
Projektligji i siguruar nga VNA ndërhyn edhe në çështjen e ndërtimeve me shkelje të lejes së ndërtimit nga kompanitë apo personat juridikë. Në rast se ka mosmarrëveshje gjyqësore ose konflikte të drejtash mes ndërtuesve, pronarëve të truallit apo poseduesve të hyrjeve, Kadastra nuk do ta pezullojë më procedurën administrative. Ajo do të miratojë legalizimin e objektit pa përcaktuar emrin e përfituesit, ndërsa regjistrimi përfundimtar i pronësisë në kartelë do të bëhet vetëm pasi gjykata të marrë një vendim të formës së prerë. Njësitë pa kontratë apo aktmarrëveshje legalizohen në emër të ndërtuesit, ndërsa në rastet kur subjekti ndërtues është shuar juridikisht, ato legalizohen në favor të shtetit. Subjektet që shkelin lejet apo nuk bashkëpunojnë do të raportohen si subjekte me risk në keqmenaxhimin e territorit.
*Fuqia e Kadastrës për të anuluar dhe shfuqizuar vetë certifikatat e paligjshme*
Sipas dispozitave të reja, Kadastrës i jepet e drejta që të konstatojë kryesisht dhe të anulojë ose shfuqizojë aktet administrative të fitimit të pronësisë që janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin. Nëse paligjshmëria konstatohet brenda afateve të Kodit të Procedurave Administrative dhe prona nuk u është kaluar personave të tretë, institucioni e shfuqizon vetë aktin me efekt të menjëhershëm. Ndërkohë, nëse paligjshmëria konstatohet pas afateve ose kur pasuria u është shitur personave të tretë, Kadastra nuk mund ta anulojë me vendim të drejtpërdrejtë, por ia përcjell dosjen e plotë Avokaturës së Shtetit për të ngritur padi në gjykatë me qëllim anulimin e titullit të pronësisë.
*Pronat e bashkësive fetare dhe ndërtimet e institucioneve shtetërore*
Projektligji shton një kapitull të veçantë për kalimin në pronësi të objekteve të kultit, arsimore, sociale apo shëndetësore të bashkësive fetare që kanë marrëveshje me Këshillin e Ministrave, së bashku me tokën e tyre funksionale, për godinat e ngritura përpara 10 gushtit 1991. Nëse toka është shtetërore, kalimi i pronësisë bëhet pa pagesë, ndërsa nëse është private, bashkësia fetare paguan vlerën e kompensimit sipas hartës së vlerës së pronës. Nga ana tjetër, projektligji parashikon që ndërtimet pa leje të ngritura nga vetë institucionet shtetërore për ushtrimin e veprimtarisë së tyre publike do të legalizohen përjashtimisht pa iu nënshtruar kritereve skualifikuese që zbatohen për qytetarët apo subjektet private.






















