Një "dramë" e re komunikimi ka shpërthyer në prapaskenat e politikës shqiptare, ku Taulant Balla akuzohet se e tradhëton linjën e komunikimit me Gazment Bardhin.
Gjithçka nisi kur gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu publikoi një artikull ku lajmëronte një "dhuratë" politike nga mazhoranca për opozitën:
“PS ‘dhuratë’ opozitës listën me 41 projektligje që duhen miratuar për integrimin europian, Top Channel publikon përmbajtjen.”
Sipas raportimit të Veliut, Taulant Balla e kishte mbajtur menjëherë fjalën e dhënë në seancë plenare ku deklaronte se "në fund të kësaj seance, përmes ministres së Marrëdhënieve të Parlamentit, do t’i drejtohet zyrtarisht grupit parlamentar të Partisë Demokratike".
Madje gazetari e konfirmonte me siguri se kjo kërkesë e opozitës "është plotësuar nga Taulant Balla dhe në fund të seancës i është dorëzuar lista e ligjeve".
Mirëpo, ky informacion "vetëtimë" e ka kapur në befasi kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
I mësuar se lajmet mbi aktivitetin e Kuvendit duhet t’i marrë përmes shkresave zyrtare dhe jo nga ekrani i televizorit gjatë kohës së drekës, Bardhi reagoi me tonë të ashpra përmes zyrës së tij të shtypit, duke sqaruar se "dhurata" e Ballës paska përfunduar në xhepin e gazetarit dhe jo në zyrën e PD-së.
"Ky është një FAKENEWS! Taulant Balla mund t’ia ketë dërguar Zyrës së Propagandës pranë Top Channel listën e projektligjeve, por deri në këtë moment (ora 15:30), asnjë listë apo shkresë zyrtare nuk i është dërguar Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike," thuhet në reagimin zyrtar.
Bardhi nuk e ka fshehur protestën për faktin se grupit të PS-së zgjedh të "trokasë" në adresën e Met Veliut përpara se të trokasë në zyrën e opozitës, ndërkohë që kërkesa e tyre po zvarritet prej kohësh.
"GPPD ka më shumë se një vit që kërkon të informohet zyrtarisht për ligjet dhe detyrimet që lidhen me procesin e integrimit europian, por kjo kërkesë vijon të refuzohet nga Qeveria... Lista e detyrave dhe angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian nuk mund të trajtohet si dokument sekret dhe aq më pak të qarkullojë fillimisht në media, ndërkohë që mohohet për deputetët e opozitës," vijon reagimi i tij.
Sipas kreut të deputetëve demokratë, kjo mënyrë pune tregon se transparenca parlamentare po zëvendësohet nga një realitet i rremë mediatik ku informacionet "dhurohen" lart e poshtë ekranit.
"Është për të ardhur keq që një televizion kombëtar si Top Channel zgjedh, në mënyrë të përsëritur, të sillet si zyrë propagande e Partisë Socialiste, duke publikuar informacione që nuk janë vënë zyrtarisht në dispozicion të Grupit Parlamentar të opozitës dhe duke krijuar kështu një realitet të rremë informativ. Transparenca institucionale nuk mund të zëvendësohet me propagandë mediatike."
Tani i mbetet opozitës të vendosë nëse për çdo projektligj të ardhshëm të integrimit duhet t'i drejtohet me kërkesë zyrtare Kryesisë së Kuvendit, apo thjesht të hapë një kanal bisede private me Met Veliun për të mësuar se çfarë "dhuratash" i ka bërë Taulant Balla këtë javë.






















