![iëopl].jpg](https://cdnimpuls.com/vna.al/media4/2026/09/ieopl-6aa034b80b946.jpg)
Pas një muaji pushim, deputetët u rikthyen këtë të martë në Kuvend për nisjen e sesionit të ri parlamentar, por panorama jashtë godinës ishte e ngjashme me atë që shoqëroi mbylljen e sesionit të kaluar: protestë, masa të shtuara sigurie dhe tensione mes qytetarëve dhe policisë.
Forca të shumta policie rrethuan ambientet e Parlamentit që përpara nisjes së seancës plenare, ndërsa kangjellat metalike kufizuan lëvizjen e protestuesve në zonën përreth.
Teksa deputetët hynë pa incidente në sallë, jashtë saj protestuesit vijuan thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike. “Ju erdhi fundi!”, “Nuk na përfaqësoni!” dhe “Polici e krimit!” ishin disa prej sloganeve të dëgjuara gjatë tubimit.
Situata u tensionua për disa minuta kur drejt efektivëve të policisë u hodhën vezë dhe domate, ndërsa disa protestues tentuan të kalonin perimetrin e sigurisë. Gjatë tubimit, pesë persona u shoqëruan nga policia. Rrethanat e plota të shoqërimit të tyre nuk janë bërë ende të ditura.
Ndërsa jashtë Kuvendit vëmendja ishte te protesta, brenda sallës sesioni i ri nisi me objektivat për integrimin europian dhe me përplasjet e para politike mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm në sallë, ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhej në Shtetet e Bashkuara.
Seanca u hap nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili vendosi integrimin europian në krye të agjendës parlamentare. Peleshi përcaktoi tri drejtime kryesore të punës: përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian, intensifikimin e diplomacisë parlamentare dhe përgatitjen e institucioneve për anëtarësimin e plotë.
“Integrimi evropian mbetet prioriteti numër një i punës së Kuvendit edhe gjatë këtij sesioni. Kuvendi duhet të jetë një nga motorët e këtij procesi”, deklaroi Peleshi.
Por nisja e sesionit solli edhe përplasjen e parë PS-PD.
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se e ka kthyer Kuvendin në një “noter” të ligjeve të qeverisë. Ai deklaroi gjithashtu se do të ishte i pari që do të votonte një nismë të paralajmëruar nga kryeministri Rama për ta konsideruar vepër penale ndërhyrjen e deputetëve për punësime.
“Kur ai të sjellë në Parlament ndryshimet në Kodin Penal, siç ka paralajmëruar, për t’ju futur në burg pse ndërhyni të fusni njerëz në punë, unë do të jem i pari që do ta votoj”, tha Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, iu përgjigj duke mirëpritur qëndrimin e Bardhit, por njëkohësisht i kërkoi opozitës mbështetje edhe për paketën e ligjeve që lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Më vjen mirë që i paskeni ndjekur propozimet tona, përfshirë këtu propozimin e radhës, me angazhimin që do ta votoni, me shpresën se do të votoni të gjitha ligjet e anëtarësimit”, deklaroi Balla.
Integrimi europian ishte gjithashtu në qendër të objektivave të shpallura nga socialistët për sesionin e ri. Balla vendosi si synim politik mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2030.
“Të mbyllim negociatat për anëtarësim brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm, të mundësojmë ratifikimin nga 27 parlamentet e vendeve anëtare brenda vitit 2028 dhe ta ngremë flamurin tonë kombëtar kuqezi në qendër të Brukselit brenda vitit 2030”, tha Balla.
Megjithatë, dy prej reformave kryesore që pritet të dominojnë debatin politik gjatë këtij sesioni, reforma zgjedhore dhe ajo territoriale, nisin pa një dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës.
Balla kërkoi bashkëpunimin e të gjitha forcave politike për reformën zgjedhore, duke e cilësuar rolin e opozitës si “të pazëvendësueshëm”. Nga ana tjetër, opozita ka paralajmëruar se nuk do të pranojë që reforma territoriale të miratohet në mënyrë të njëanshme dhe ka bërë të ditur votën kundër propozimit të socialistëve.
Në nisje të sesionit parlamentar reagoi edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili nuk ishte prezenti por u dërgoi një mesazh deputetëve, duke u ndalur edhe te protesta që po zhvillohej jashtë Kuvendit.
“Sfida është që kjo energji qytetare dhe ky angazhim institucional të ushqejnë një dialog që forcon besimin dhe ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve më të mira”, u shpreh Begaj.
Seanca e parë e sesionit të ri parlamentar u mbyll edhe me ndryshime në drejtimin e Kuvendit. Evis Kushi u propozua nga Taulant Balla për postin e nënkryetares së Kuvendit, duke zëvendësuar Klodiana Spahiun, e cila mori detyrën e ministres së Shëndetësisë.
Opozita refuzoi të vijonte me votimin e propozimit për zgjedhjen e Kushit dhe u largua nga salla, duke braktisur seancën. Pas votimit të Klodiana Spahiut si ministre e Shëndetësisë, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi mbylljen e seancës plenare.




















