Arben Ahmetaj doli sërish me akuza të rënda, përgjime, emra ndërkombëtarë, kompani, armë, gaz, Delvinë, KAYO, Ron Yeffet dhe Edi Ramën në qendër të gjithçkaje. Por sa më të mëdha bëhen akuzat, aq më e domosdoshme bëhet pyetja që nuk iu bë ish-zëvendëskryeministrit: çfarë janë realisht këto materiale që ai nxjerr herë pas here?
Ahmetaj pretendon se audios lidhen me Ron Yeffet, KAYO-n, TIMAK Defence, armët dhe gazin e Delvinës. Sipas tij, përmes këtyre përgjimeve del në pah një skemë ku pasuritë publike kalojnë në struktura të përbashkëta me privatë, duke shmangur garat, tenderët dhe kontrollin institucional. Ai pretendon gjithashtu se modeli i përdorur synon të vendosë nën kontroll jo vetëm industrinë ushtarake, por edhe asete strategjike si fusha e gazit në Delvinë.
Disa të dhëna publike konfirmojnë ekzistencën e strukturave të përmendura prej tij: KAYO është kompani shtetërore në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, TIMAK Defence është krijuar me 80% pronësi të TIMAK dhe 20% të KAYO-s, ndërsa te TIMAK rezultojnë Arjeta Puca me 51% dhe Ron Yeffet me 49%. Por kjo nuk mjafton për të vërtetuar përmbajtjen e përgjimeve, autenticitetin e tyre apo akuzat penale që Ahmetaj ndërton mbi to.
Askush nuk po thotë se akuzat nuk duhen dëgjuar. Përkundrazi, kur flitet për asete publike, industri ushtarake, kompani shtetërore, privatë pranë pushtetit dhe gazin e Delvinës, çdo pretendim duhet marrë seriozisht. Por seriozisht do të thotë edhe me standard. Dhe standardi nis pikërisht aty ku spektakli zakonisht ndalet: te origjina e provës, autenticiteti i saj, konteksti dhe përgjegjësia e atij që e publikon.
Prandaj, para se publiku të marrë si të mirëqenë çdo audio që publikohet nga Zvicra, gazetari që kishte përballë Ahmetajn, nëse do ta kishte mendjen te intervista dhe jo te kamera, duhej ta pyeste shumë thjesht: a janë këto përgjime të autorizuara? Nëse po, nga kush? Nëse jo, si i ka siguruar? A janë ekspertuar? A janë të plota apo të prera? A ka metadata? A ka procesverbal? A ka kallëzim? A ka një institucion që i ka administruar? Apo gjithçka mbetet në kufirin e një spektakli politik ku çdo episod hapet me një “kam prova” dhe mbyllet me një “nuk mund t’i tregoj të gjitha”?
Në këtë histori ka edhe një tjetër element që përsëritet sa herë Ahmetaj del publikisht: familja e tij. Ish-zëvendëskryeministri flet vazhdimisht për kërcënime ndaj familjarëve, për presione, për rrezik dhe për një dramë personale që kërkon ta vendosë në rolin e babait të shqetësuar. Por edhe këtu pyetjet janë të pashmangshme. Nëse ka kërcënime konkrete, gazetari duhej ta pyeste: a janë denoncuar ato? Ku? Nga kush? Me çfarë provash? A ka autoritete zvicerane apo shqiptare të njoftuara?
Sepse përdorimi i vazhdueshëm i familjes si argument politik është i rëndë dhe, në një moment, edhe i shëmtuar. Familja e Ahmetajt, për aq sa duket publikisht, është shëndoshë e mirë dhe në mirëqenie të plotë. Dhe publiku shqiptar, që e njeh Ahmetajn si ish-ministër, ish-zëvendëskryeministër dhe njeri të pushtetit, vështirë se do ta shohë papritur si viktimën e pafajshme që kërkon empati vetëm sepse flet nga distanca.
Ahmetaj nuk mund të jetë njëkohësisht ish-numri dy i qeverisë dhe dëshmitar i pafajshëm i krimeve të saj. Nuk mund të jetë brenda çdo skeme kur pushteti prodhonte para dhe jashtë çdo përgjegjësie kur skemat dalin në publik. Nuk mund të kërkojë që çdo akuzë e tij të trajtohet si e vërtetë absolute, ndërsa çdo pyetje për rolin e tij të quhet persekutim.
Nëse Ahmetaj ka prova reale, ato duhet të shkojnë në institucione, të ekspertizohen dhe të bëhen pjesë e një hetimi serioz. Nëse ka vetëm audio të paqarta, gjysmëfjali, interpretime personale dhe një histori viktimizimi që aktivizohet sa herë i duhet politikisht, atëherë publiku ka të drejtë të pyesë nëse po sheh një denoncim apo një sallatë të prishur, të servirur sa herë ish-zëvendëskryeministrit i duhet të ngrejë stekën për betejën e tij personale dhe për azilin politik.
Për empatinë, ndoshta Ahmetajt do t’i duhet të trokasë diku tjetër. Ndoshta te ish-shefi i tij. Sepse nga qytetarët që kanë parë për vite si qeverisej vendi, është e vështirë të kërkosh lot për ata që ishin në tavolinë kur ndahej pushteti dhe sot kujtohen të tregojnë menynë.



















