Historia e pagave të magjistratëve nuk fillon me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi ndërhyrjen ligjore të vitit 2023. Ajo është shumë më e hershme. Dhe pikërisht kronologjia e saj nxjerr në pah, ndoshta më qartë se çdo deklaratë politike, raportin real të pushtetit me drejtësinë. Jo atë raport që shpallet në konferenca shtypi, por atë që ndërtohet përmes ligjeve, votave dhe pazareve të heshtura.
Faktet, të vendosura në rend kronologjik, flasin vetë.
Gjithçka nis me Reformën në Drejtësi. Në atë kohë u premtua një transformim rrënjësor i sistemit: drejtësia do të pastrohej nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të paaftë apo të lidhur me krimin, përmes procesit të vetingut. Por reforma nuk synonte vetëm largimin e të papërshtatshmëve. Ajo synonte edhe krijimin e një sistemi të ri, ku magjistratët që mbeteshin e do të vinin rishtas, të kishin garanci reale për pavarësinë e tyre.
Një nga këto garanci ishte edhe statusi ekonomik, ndër to edhe paga. Ideja ishte e thjeshtë: një magjistrat i ekspozuar ndaj presioneve ekonomike është më i cenueshëm ndaj pushtetit politik dhe atij korruptiv. Për këtë arsye, sistemi i ri i pagave u ndërtua mbi një standard të qartë referimi: paga e magjistratëve referohej tek paga e drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri, pra praktikisht tek nëpunësi civil më i lartë në administratën shtetërore.
Ishte një zgjidhje e menduar mirë për të krijuar një standard të qëndrueshëm dhe objektiv. Pagat e magjistratëve u rritën ndjeshëm dhe reforma, të paktën në këtë aspekt, prodhoi një garanci konkrete për pavarësinë e sistemit. Edi Rama dhe qeveria e tij, natyrisht, e paraqitën këtë si një nga sukseset më të mëdha të “revolucionit shtetformues”. Reforma në Drejtësi u shndërrua në kartën kryesore të kredencialeve të tij ndërkombëtare. Brukseli dhe Uashingtoni e mbështetën fuqishëm procesin dhe Rama u pozicionua politikisht si njeriu që po ndërtonte drejtësinë e re shqiptare.
Por autonomia e drejtësisë rezultoi e bukur për sa kohë që nuk prodhonte pasoja të pakontrollueshme për pushtetin.
Nuk kaloi shumë kohë dhe u kuptua se skema kishte një efekt të rëndësishëm: ajo i jepte magjistratëve një pavarësi ekonomike reale. Por kishte edhe një pasojë tjetër. Duke qenë se paga e magjistratëve lidhej me një standard të administratës së lartë shtetërore, pagën e drejtorit të përgjithshëm në Kryeministri, çdo rritje e këtij standardi sillte automatikisht rritje edhe për pagën e magjistratëve. Dhe kjo filloi të shihej si problem.
Sepse administrata publike, në sistemin e pushtetit të Ramës, nuk është thjesht një strukturë teknike e shtetit. Ajo është edhe një mekanizëm dhe trupë politike. Janë mijëra njerëz që administrojnë leje, licenca, prona, tendera dhe procedura publike; janë njerëzit besnikë të Ramës pra; njerëz që, sidomos në periudha zgjedhore, shndërrohen në një trupë të organizuar elektorale. Një fenomen që nuk duhet të ekzistojë në një shtet normal, por që është bërë pjesë e funksionimit të pushtetit të Ramës.
Dhe një administratë e tillë duhet mbajtur e kënaqur. Herë përmes privilegjeve, herë përmes favoreve, herë përmes rritjes së pagave. Kjo ishte pikërisht ajo që ndodhi në vitin 2023.
Në korrik 2023, Rama shpalli me bujë një reformë të madhe të pagave në administratën publike. Rreth 180 mijë nëpunës do të përfitonin rritje page. Por ekzistonte një problem. Sipas skemës së vendosur nga Reforma në Drejtësi, rritja e standardit të pagave në administratë do të sillte automatikisht edhe rritjen e pagave të magjistratëve.
Dhe këtë pushteti nuk e donte. Sepse një magjistrat me status ekonomik të fortë është më pak i cenueshëm. Më pak i varur. Më pak i ndikueshëm. Me një fjalë: më i pavarur. Dhe pavarësia e drejtësisë, për një pushtet që synon kontrollin maksimal të institucioneve, është gjithmonë një problem.
Zgjidhja u gjet shpejt. Duhej ndryshuar pikërisht mekanizmi që lidhte pagat e magjistratëve me standardin e administratës së lartë. Në këtë mënyrë, çdo rritje e ardhshme e pagave në administratë nuk do të prodhonte më efekt rritës për gjyqtarët dhe prokurorët.
Referenca e re u bë paga e Presidentit të Republikës. Një zgjedhje, natyrisht, krejt “natyrale”. Sepse kush mund ta imagjinojë që paga e Presidentit të rritet periodikisht? Aq më tepër në një sistem ku institucioni i Presidentit është kthyer prej kohësh në një figurë thuajse ceremoniale. Me një ndryshim të thjeshtë reference, mekanizmi i garancisë ekonomike së magjistratëve u asgjësua. Administrata mund të vazhdonte të merrte rritje pagash. Magjistratët jo.
Por kishte ende një pengesë. Ndryshimi i ligjit kërkonte shumicë të cilësuar: të paktën 84 vota. Një numër që mazhoranca socialiste nuk e zotëronte e vetme. Duheshin vota nga opozita. Dhe siç ka ndodhur rëndom, ato u gjetën. Sipas parimit të pazareve politike: më jep-të jap.
Paralelisht me ndryshimin ligjor kundër magjistratëve, në korrik 2023 u votua edhe rritja e pagave të deputetëve. Rastësi? Vështirë të besohet. Grupi i deputetëve të opozitës i drejtuar nga Gazment Bardhi bashkoi votat me mazhorancën për të siguruar shumicën e nevojshme për ndryshimin e skemës së pagave të magjistratëve. Çmimi politik ishte i qartë: rritja e pagës së vetë deputetëve.
Kështu u prodhua një nga paradokset më domethënëse të kësaj historie: përfaqësuesit politikë rritën pagat e tyre, ndërsa në të njëjtën kohë ndryshuan mekanizmin që garantonte standardin ekonomik të pushtetit gjyqësor. Seanca e fundit e korrikut 2023 e vulosi marrëveshjen.
Pas kësaj, administrata vazhdoi të përfitonte rritje pagash, ndërsa standardi ekonomik i magjistratëve mbeti i ngrirë. Por këtu ndërhyn Kushtetuta. Statusi i magjistratit nuk është një privilegj që politika mund ta riformatojë sipas interesave të momentit. Ai është një garanci kushtetuese e ndërtuar pikërisht për të mbrojtur pavarësinë e drejtësisë.
Dhe një nga parimet themelore është mosprekja në përkeqësim e këtij statusi, pra të mos ulet paga e magjistratëve, qoftë edhe në mënyrë të fshehtë.
Pikërisht mbi këtë logjikë, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ndërhyrjen ligjore të vitit 2023, produktin e marrëveshjes së votave mes mazhorancës dhe një pjese të opozitës, që kishte shkëputur pagat e magjistratëve nga standardi i administratës dhe i kishte lidhur me pagën e Presidentit të Republikës. Vendimi riktheu standardin e mëparshëm. Pra, atë logjikë që kishte vendosur vetë Reforma në Drejtësi: pavarësia e magjistratit nuk mund të varet nga vullneti i rastësishëm i politikës.
Kjo është historia. Dhe ajo nuk duhet parë si një debat teknik mbi formula, koeficientë apo nivele pagash. Është një histori shumë më e madhe. Është historia e mënyrës se si politika, sapo kupton se një institucion ka filluar të fitojë autonomi reale, përpiqet të gjejë rrugën për ta rikthyer nën kontroll.
Në fillim ndërtohet pavarësia. Pastaj shpallet me krenari. Më pas, kur ajo fillon të funksionojë realisht, kërkohet një formulë për ta kufizuar.
Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i çështjes: politika shqiptare duket se nuk ka problem me drejtësinë e pavarur si slogan. Problemi fillon në momentin kur drejtësia tenton të bëhet realisht e pavarur.
Historia e pagave të magjistratëve është vetëm një episod. Por është një episod jashtëzakonisht domethënës për të kuptuar se si trajtohen, në të vërtetë, themelet e shtetit.





















