Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për këngëtarin Jozefin Marku dhe shoferin e tij, Kristjan Nikolli, të arrestuar pas konfliktit me Eduard Kuçin.
Sipas të dhënave të hetimit, Kuçi nuk e ka denoncuar sulmin. Përpara policisë, ai ka deklaruar se kishte ndodhur vetëm një konflikt i thjeshtë për bllokimin e rrugës me automjet. Megjithatë, pas verifikimeve, policia ka nisur hetimet dhe e ka shpallur Kuçin në kërkim policor për akuzën e moskallëzimit të krimit.
Marku fillimisht është thirrur për t’u paraqitur në polici, por nuk ka pranuar. Pas arrestimit, ai ka deklaruar se ishte irrituar nga disa ofendime që Kuçi dyshohet se kishte bërë ndaj tij në rrjetet sociale.
Prokurori i çështjes, Françesk Galaj, ka kërkuar ekspertimin e dëmtimeve trupore të Kuçit. Po hetohet gjithashtu nëse gjatë ngjarjes janë përdorur simbole të Policisë së Shtetit.
Ora e seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj Markut dhe Nikollit ende nuk është përcaktuar. Ndërkohë, fakti që Kuçi nuk e ka denoncuar ngjarjen pritet të përdoret si një nga argumentet kryesore të mbrojtjes.




















