I rikthehemi kësaj çështjeje për të vetmen arsye se një shkëmbim banal shkresash mes kreut të Gjykatës së Lartë dhe Ministrit të Financave, si dhe një prononcim i Ministrit të Drejtësisë, zbuluan metodën pengmarrëse që përdor qeveria shqiptare në raport me institucionet e pavarura.
Nga kronologjia e vendimeve dhe korrespondencave tashmë është e qartë që ka një vullnet nga qeveria për të mos zbatuar në formë të plotë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.
Duke mos krijuar kushtet për zbatimin në afat të vendimit të GJK, praktikisht qeveria mori peng pagat e gjyqësorit.
Kryeministri Rama e shfrytëzoi konfliktin për marketingun e tij bullizues, duke i bërë qepaze gjyqtarët. Me këtë rast devijon dhe pakëz diskutimet nga problemet e vendit, intimidon dhe gjyqtarët.
Menjëherë u hodh në qarkullim fjalia denigruese se “gjyqtarët i vendosën vetë pagat”. Kur nga e gjithë përmbajtja e vendimeve dhe rrjedha e veprimeve po del e qartë që ka patur afat dhe hapa për pagat e ndryshuara.
Asgjë nuk e pengonte p.sh. drejtorinë e buxhetit në Ministrinë e Financave të fillonte, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, përllogaritjet për efektet në buxhet të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përgatitjen e akteve përkatëse. Sidomos duke patur parasysh që do të ketë efekte nga viti 2023.
Kujtojmë që Komisioni i Ekonomisë në Kuvend para disa kohësh, për të goditur një tjetër institucion të pavarur, siç është KLSH, bëri një shou mallëngjyes me drejtoren e kësaj drejtorie për shkak të rekomandimit që kishte dhënë KLSH. Pra, me bashkëpunim të drejtores së buxhetit u paraqit një shfaqje si mbledhje e Frontit në lagje, edhe dialogu ishte ai atij niveli, me synimin të denigrohej një institucion i pavarur.
Sot përdoret paga për të treguar dhëmbët ndaj gjyqësorit dhe për ta paraqitur në publik si një mbrojtje e interesit të publikut nga gjyqtarët që duan paga që i caktojnë vetë.
Të kuptohemi, as ua qajmë hallin gjyqtarëve, as ata janë keq për bukën e gojës. Por këtu flitet që vendi duhet të ketë qartësi ligjore, zbatime vendimesh sipas hierarkisë dhe bashkëpunim, jo pengmarrje institucionale.
Paga është element i pavarësisë së një pushteti. Këtë e di fort mirë ministri i Drejtësisë Toni Gogu, se ai vetë ia ka ndjerë lezetin kur shërbente si drejtor juridik në Bankën e Shqipërisë me Guvernator Ardian Fullanin dhe më pas drejtor i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, të dy këto institucione të pavarura.
Pra, çfarë e bëri Ministrin Toni të mos dilte avokat i pavarësisë së gjyqësorit në këtë rast dhe të fillonte të argumentonte si Ministër i Financave për ekuilibër e stabilitet të financave?
Stabiliteti financiar rrezikohet nga paraja e pisët, nga shpërdorimi në pagesa për koncesione e projekte jo transparente, jo nga pagat e gjyqtarëve.
Meqenëse qeveria ka menduar dhe hilen tjetër të blejë me paga Gjykatën Kushtetuese, gjyqtarët shqiptarë duhet të ndalojnë së ankuari me shkresa. Shteti ligjor ka dhe mekanizma të tjerë që imponojnë zbatimin e ligjit. E një ndër to është edhe mbajtja përgjegjëse e personave që bllokojnë zbatimet e vendimeve të Gjykatave.
Meqenëse kryeministri ynë krenohet me aleancën me Izraelin, atëherë të nderuar gjykatës, mësoni nga gjykatësit izraelitë. Ata nuk ngurruan t’i kujtojnë qeverisë së vendit të tyre se moszbatimi i vendimeve të gjykatave prodhon kaos shoqëror dhe dobëson demokracinë, duke u treguar se do të hapin procese ligjore për ata individë në qeveri që janë përgjegjës për bllokimin e zbatimit të vendimeve të gjykatave.
Pra, të dashur gjyqtarë, mos qani vetëm për një shtesë page. Po ndërtoni dinjitetin e pushtetit të pavarur.




















