Biznesmeni Luan Muça ka reaguar për herë të parë pas përplasjes me Vasil Bedinajn në Orikum, duke mohuar akuzat për gjobëvënie dhe duke deklaruar se konflikti lidhet me një sipërfaqe toke në Palasë, ku ai thotë se ka blerë 97 mijë metra katrorë që prej vitit 2019.
Në deklaratën e tij, Muça thotë se në vitin 2021 ka marrë statusin e investitorit strategjik dhe më pas leje për fazën e parë të ndërtimit të një hoteli me 5 yje. Sipas tij, ai ka konstatuar rastësisht se ishte dhënë një tjetër leje mbi tokën që pretendon se është e tij dhe për këtë i është drejtuar AZHT-së.
Muça pretendon se pas këtij komunikimi është telefonuar nga Vasil Bedinaj, i cili i ka kërkuar të mos ekspozonte pretendimet e tij në AZHT. Ai thotë se ka shkuar në hotelin e Bedinajt në Orikum i shoqëruar nga familjarë, por situata ka degraduar pas debatit.
Sipas Muçës, Bedinaj kishte thirrur njerëz të armatosur dhe, gjatë largimit nga ambientet e hotelit, është qëlluar me armë ndaj tij dhe personave që e shoqëronin. Ai kërkon nga Policia e Shtetit zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave që, sipas tij, kanë qëlluar.
Muça i cilëson të pavërteta lajmet se i kishte vendosur gjobë Bedinajt dhe thotë se pamjet e shpërndara janë servirur në mënyrë të njëanshme. Ai shprehet se është i gatshëm të vërë në dispozicion të mediave çdo dokument që lidhet me pretendimet e tij.




















