Policia konfirmon arrestimin e Jozefin Markut, pas publikimit në rrjete sociale të disa pamjeve ku ish-banori i BBV shfaqet bashkë me disa shtetas të tjerë duke dhunuar me grushta shtetasin kosovar Eduard Kuçi.
Jozefin Marku u arrestua në tualetin e banesës së shtetasit Kristjan Nikolli, i cili po ashtu u arrestua nga policia. Ndërsa në kërkim janë shpallur Kevin Vuthaj dhe Anton Huli.
Policia sekuestroi edhe një automjet të markës Land Rover me targa AB 458 ZH, i cili është përdorur në ngjarje. Marku dhe miqtë e tij i bënë shenjë me tabelë policie Kuçit që të ndalojë dhe më pas e dhunuan.
Njoftimi i policisë
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një konflikt ndërmjet disa shtetasve, sqarojmë se:
Nga verifikimet e kryera rezultoi se pamjet ishin filmuar në afërsi të mbikalimit të Rinasit.
Për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”. Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit A. H., 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit K. N., u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni, si dhe automjeti tip “Land Rover”, i dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Këta shtetas dyshohet se, në bashkëpunim edhe me shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë dhunuar shtetasin E. K., 26 vjeç, me pretendimin se ky i fundit kishte fyer një prej tyre.
Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale.
Të dyshuar:
- Jozefin Marku – arrestuar
Kristjan Nikolli – arrestuar
- Kevin Vuthaj – në kërkim
- Anton Huli – në kërkim
- D. Preçi – kontroll banese
- Klaudio Hyseni – kontrolle






















