
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e sotme një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre në fshatin Radostinë, në Bashkinë Fier, duke rrezikuar banesa, biznese dhe një pikë karburanti.
Flakët janë afruar pranë zonës së Liqenit të Levanit dhe raportohet se ndodhen rreth 200 metra larg disa objekteve. Për shkak të rrezikut, pronarët e lokaleve kanë nisur largimin e stafit dhe klientëve, si dhe nxjerrjen e mjeteve e orendive nga ambientet.
Situata paraqitet kritike edhe për banorët e zonës. Raportohet se një banesë është prekur nga zjarri, ndërsa disa të tjera rrezikohen, duke bërë të nevojshëm nisjen e evakuimit. Në operacionin për shuarjen e flakëve ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.
“Janë shpenzime të mëdha, atje punojmë. Kemi një vit e gjysmë që punojmë atje. Mos të kapë te lokali, janë miliona lekë të hedhura. Punëtorë janë të gjithë, është shumë e vështirë për të gjithë. Zjarri ka përmasa të mëdha, ullinj, anash lokalit. Është katastrofë!”, shprehet një punonjëse e një prej lokaleve të rrezikuara.
Për shkak të situatës është bllokuar qarkullimi në aksin Fier-Levan, ndërsa është ndaluar edhe lëvizja e trenit.
Momente dramatike janë regjistruar edhe kur një çift ka rrezikuar seriozisht jetën, teksa është përpjekur të shuajë vetë zjarrin që kishte përfshirë pronën e tyre. Mes flakëve dhe tymit të dendur, ata janë përballur me situatën e rrezikshme pa pritur mbërritjen e forcave zjarrfikëse.
Puna për vënien nën kontroll të zjarrit vështirësohet nga era, e cila favorizon përhapjen e shpejtë të flakëve, si dhe nga terreni i thyer që pengon lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse.
Situatë e rëndë paraqitet edhe në veri të vendit. Në fshatrat Kalivaç dhe Zimaj, në Njësinë Administrative Ungrej të Bashkisë Lezhë, raportohet se janë djegur 10 banesa. Flakët kanë përfshirë gjithashtu kasolle me bagëti, ndërsa ende nuk ka një bilanc të saktë për numrin e krerëve të humbur.
Zjarri vijon aktiv edhe gjatë ditës së sotme dhe deri tani ka përshkuar rreth 200 hektarë pyje. Flakët janë përhapur gjithashtu në territorin e Vaut të Dejës, ku raportohet se janë djegur tre shtëpi të pabanuara.
Ndërhyrja nga toka në zonën e Ungrejt mbetet e vështirë për shkak të terrenit, ndaj Bashkia Lezhë i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes ndërhyrjen nga ajri me helikopterë.
Një tjetër vatër zjarri vijon aktive në Malësinë e Kurbinit. Edhe atje terreni vështirëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, por deri më tani nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarr është regjistruar edhe në një zonë pyjore në Greps, në Njësinë Administrative Nikël të Krujës. Era po favorizon përhapjen e flakëve, ndërsa ekipet po përballen me disa vatra aktive në zona të ndryshme të vendit.






















