
Përplasja mes dy biznesmenëve, Luan Muça i kompanisë Delta Group dhe Vasil Bedinaj i rrjetit të hoteleve Regina në Vlorë, ka hapur dy pista të kundërta për motivin e ngjarjes: gjobëvënie apo konflikt pronësie.
Vasil Bedinaj pretendon se Luan Muça dhe njerëzit e tij i kanë vendosur gjobë 5 milionë euro dhe e kanë kërcënuar të largohet nga Shqipëria brenda 48 orësh. Nga ana tjetër, Muça thotë se konflikti mes tyre vijon prej dy vitesh dhe lidhet me një pronë në zonën bregdetare të Palasës.
Biznesmeni i Deltës është arrestuar nën dyshimet për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Bashkë me të janë arrestuar edhe dy shoqëruesit e tij, vëllezërit Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, dhe Mandrit Lleshaj, 33 vjeç.
Në pranga ka përfunduar edhe Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar, pjesë e grupit të Muçës, si dhe Angjelo Breshani, 29 vjeç, shoqërues i Bedinajt, i cili qëlloi me armë ndaj grupit kundërshtar dhe dyshohet se ka plagosur një person. Deri më tani, personi i dyshuar si i plagosur nuk është paraqitur për ndihmë as në spitale shtetërore, as në ato private.
Ndërkohë, në kërkim janë shpallur 6 persona, përfshirë edhe Bujar Muçën, ish-deputet i PDIU-së, i cili la mandatin sapo u zgjodh. Në kërkim janë shpallur gjithashtu edhe 4 automjete të dyshuara se janë përfshirë në ngjarje.
Ngjarja nisi rreth orës 11:30, kur policia u njoftua nga pronari i një hoteli në Radhimë, Vasil Bedinaj, se kishte nevojë për ndihmë, pasi disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri.
Sipas të dhënave të deritanishme, disa automjete luksoze janë afruar pranë hotelit të Bedinajt në Radhimë. Nga njëri prej tyre ka zbritur Luan Muça, i shoqëruar nga rojet e tij, punonjës të kompanisë private “SWAT Security”, e kontraktuar për sigurinë e bizneseve të tij.
Muça është ulur për të biseduar me Vasil Bedinajn, në prani edhe të dy personave të tjerë. Burimet thonë se dy biznesmenët janë takuar disa herë më parë dhe se në thelb të konfliktit mes tyre është një pronë në zonën bregdetare të Palasës.
Në një moment, situata mes palëve është tensionuar. Punonjësit e shoqërive private të dy biznesmenëve janë afruar dhe mes tyre ka pasur shtyrje fizike. Pas përplasjes, Luan Muça është ngjitur në makinën e tij luksoze dhe është larguar me shpejtësi bashkë me dy rojet e tij, vëllezërit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj.
Pas largimit të tyre, shoqëruesi i Bedinajt, Angjelo Breshani, ka shkuar te automjeti i biznesmenit, ka marrë armën e zjarrit që ky e posedon me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin aty. Dyshohet se nga të shtënat ka mbetur i plagosur një person.
Ndërkohë, policia ishte vënë në ndjekje të makinës së sinjalizuar nga Bedinaj.
“Rreth orës 12:00, në pikën e kontrollit në Rrethin e Alikokës, një automjet fuoristradë, tip “Range Rover”, me ngjyrë të zezë, nuk iu bind shërbimeve të Policisë për të ndaluar, duke vijuar rrugën në drejtim të fshatit Peshkëpi. Gjatë ndjekjes, në vendin e quajtur Ura e Peshkëpisë, ky automjet ka dalë nga rruga, duke goditur barrierat mbrojtëse të saj. Në këtë automjet ndodheshin tre shtetas, konkretisht shtetasi Luan Muça, drejtues i automjetit, dhe dy pasagjerët, shtetasit Klaudio dhe Mandrit Lleshaj, vëllezër, punonjës të SH.P.S.F. “Swat Security”. Si pasojë e daljes nga rruga, shtetasit Luan Muça dhe Mandrit Lleshaj janë dëmtuar dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Në automjetin ku ndodhej Muça u gjet edhe një armë zjarri pistoletë, me një krehër me 16 fishekë luftarakë.
Më pas, rreth orës 13:00, pika e kontrollit e ngritur nga shërbimet e DVP Fier, në vendin e quajtur Mbikalimi i Memorialit, ndaloi një nga automjetet e shpallura në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta.
“Rreth orës 13:00, pika e kontrollit e ngritur nga shërbimet e DVP Fier, në vendin e quajtur Mbikalimi i Memorialit, ka ndaluar një nga automjetet e shpallura në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta. Nga këqyrja dhe kontrolli i automjetit u konstatua se kishte dëmtime në xhamin nga krahu i pasagjerit, të shkaktuara, dyshohet, me armë zjarri. Në brendësi të automjetit u gjetën tre fishekë pistolete. Rreth orës 16:30, në bypass-in e Vlorës, afër fshatit Kaninë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se është përdorur nga autorët në ngjarje”, theksoi drejtori i Policisë së Vlorës, Edvin Ndreu.
Nga tërësia e veprimeve hetimore, sipas policisë, rezulton se Luan Muça, së bashku me disa shtetas të tjerë, ka shkuar në hotelin në pronësi të Vasil Bedinajt dhe, nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike, i kanë vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh, duke e kërcënuar që pas 48 orësh të largohej nga Shqipëria.
Ky është versioni i Bedinajt dhe i policisë për ngjarjen. Por Luan Muça jep një tjetër shpjegim për motivin e përplasjes. Sipas tij, konflikti nuk ka lidhje me gjobëvënie, por me një pronë.
Kompania Delta e Luan Muçës rezulton përfituese e statusit të investitorit strategjik për fazën e parë të projektit “Delta Falaise Resort & Village”. Projekti turistik, sipas të dhënave, shtrihet në zonën mes Palasës dhe Dhërmiut dhe parashikon një kompleks hotelesh dhe vilash.
Muça pretendon se pronën e ka blerë dhe se më vonë ka pasur probleme, pasi janë ngritur pretendime për pronësi. Ai thotë se, për të shmangur këto probleme, ka paguar për të dytën herë, duke u përpjekur të zgjidhë konfliktet.
Sipas versionit të tij, Bedinaj ka kërkuar përqindje, pasi pretendon se zotëron pjesë të pronës. Muça thotë se palët janë takuar për ta zgjidhur çështjen. Madje ai akuzon Bedinajn se i ka shkuar edhe te prona, ndërsa thekson se e ka kallëzuar për marrje të pronës përmes falsifikimit.
Tashmë pretendimet e palëve janë objekt hetimi. Por përtej versioneve të kundërta, një fakt mbetet i qartë: përplasja mes Muçës dhe Bedinajt dëshmon dështimin e shtetit për të zgjidhur konfliktet përmes institucioneve. Kur hipotekat prodhojnë më shumë konflikt sesa siguri juridike, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te ata që nxjerrin armët në rrugë, por edhe te institucionet që kanë lejuar që prona të kthehet në shkak për përplasje të tilla.





















