
Pa orkestër, por në mënyrë të orkestruar, deputetë të Partisë Demokratike u shfaqën me kamera, ovacione dhe praninë e duhur politike për të përcjellë Sali Berishën në nisjen e tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas marrjes së një vize njëkalimshme për të udhëtuar drejt SHBA-së, Berisha e trajtoi nisjen jo thjesht si një udhëtim, por si një moment të madh politik. Deputetët e tij, nga ana tjetër, u kujdesën që momenti të mos kalonte si një lëvizje normale aeroporti, por si një skenë e organizuar për kamera.
Vetë Berisha e cilësoi udhëtimin si “udhëtimi i viteve” për Shqipërinë. Ai tha se nisej drejt SHBA-së me të njëjtën bindje si në mars të vitit 1991, se “vendi i madh i lirisë” do të mbështesë shqiptarët në përpjekjen për t’u çliruar nga ajo që ai e quajti “diktatura autoritare” e Edi Ramës, e bazuar sipas tij në drogë, krim dhe vjedhje.
“Unë shkoj dhe takoj miqtë e mi, të cilëve u them: unë erdha, erdha”, deklaroi Berisha.
Në planin politik, mesazhi ishte i qartë: një vizë njëkalimshme po tentohej të shitej si rikthim triumfal, si rehabilitim politik dhe si sinjal force për bazën demokrate. Ndaj edhe përcjellja nuk dukej spontane. Ishte një skenografi besnikërie, ku deputetët nuk kishin rolin e udhëtarëve, por të dëshmitarëve të një momenti që duhej regjistruar.
Pyetja më normale e ditës, nëse udhëtonte me biletë biznes apo ekonomik, mbeti pa përgjigje. Berisha zgjodhi formulën klasike: “Faleminderit shumë. Faleminderit dhe mirupafshim”.
Kështu, nisja për në SHBA u kthye në një paradë të vogël politike: pa bandë, por me ritëm; pa protokoll shtetëror, por me regji partie; pa përgjigje për biletën, por me shumë solemnitet për kamerat.



















