
Sezoni politik i verës në Grupin Parlamentar Socialiste nuk ka pritur dot shtatorin për të çelur siparin. E para që ka hequr rrobat e plazhit për t’iu përveshur punës ligjvënëse është ish-ministrja e Fëmijëve dhe e Rinisë, Bora Muzhaqi, e njohur gjerësisht në publik më shumë për deklaratat dhe "gafat" e saj spontane sesa për ndonjë ekspertizë të thelluar juridike ose ekonomike.
Sidoqoftë, fusha e veprimit ku zonja Muzhaqi ka vendosur të lërë gjurmë këtë herë nuk ka asnjë lidhje me fëmijët apo rininë. Ish-ministrja ka depozituar në Kuvend dy projektligje mjaft teknike që lidhen me të drejtat e pronësisë intelektuale dhe tregtinë ndërkombëtare:
Ndryshimet në ligjin “Për markat tregtare”
Ndryshimet në ligjin “Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatës së mbrojtjes shtesë”
Siç pritej, teknika e përdorur nuk është ndonjë zbulim i ri i deputetes. Kohët e fundit, Kryeministri Rama po përdor gjithnjë e më shpesh deputetët e tij si "zarf-sjellës" ligjesh të gatshme. Duke i depozituar këto nisma nga deputetët (dhe jo si nisma zyrtare të Këshillit të Ministrave), qeveria anashkalon me lehtësi procedurën e detyrueshme të konsultimit publik, duke ia kaluar projektet gati Kuvendit vetëm me një firmë "pro-forma".
Çfarë përmbajnë në thelb dy projektligjet?
Përtej termave burokratikë, dy nismat e firmosura nga Bora Muzhaqi merren me të njëjtin koncept juridiko-ekonomik: "shterimin e të drejtave" mbi markat dhe patentat.
Projektligji për Markat Tregtare: Ndryshon nenet përkatëse duke e zëvendësuar regjimin e "shterimit kombëtar" të drejtave me regjimin e "shterimit rajonal". Kjo do të thotë se sapo një mall me markë tregtare të jetë hedhur ligjërisht në treg brenda hapësirës së Bashkimit Evropian apo Zonës Ekonomike Evropiane, pronari i markës nuk mund të ndalojë më ri-shitjen ose lëvizjen e lirë të tij edhe në tregun shqiptar.
Projektligji për Patentat: Aplikon të njëjtën logjikë edhe për produktet e mbrojtura me patentë (si p.sh. barnat apo teknologjia). Pronari i patentës humbet të drejtën ekskluzive për të ndaluar tregtimin e produktit në Shqipëri, me kusht që ai të jetë hedhur më parë në treg nga vetë ai ose me pëlqimin e tij diku brenda BE-së ose ZE-së.
Thënë shkurt, Shqipëria po përshtat rregullat e tregut me ato të BE-së për lëvizjen e lirë të mallrave. Dhe se si u zgjodh pikërisht Bora Muzhaqi për të garantuar këtë shkallë të lartë përafrimi me acquis communautaire, kjo mbetet sekret i brendshëm i grupit parlamentar. Për momentin, rëndësi ka që firma u hodh dhe letra u depozitua.





















