
Pas më shumë se një dekade e gjysmë në pushtet, zbulimi i "zgjidhjeve magjike" për të dëgjuar popullin vjen me një dozë të fortë ironie:
Pas 14 vitesh në timonin e vendit, kryeministri zbuloi më në fund se halli i shqiptarëve na paska qenë mungesa e një takimi tek për tek, çdo të premte në orën 5, si dhe shpikja e një portali të ri. Pasi e mbushi hapësirën publike me slogane digjitale, "bashkëqeverisje", e satelitë në orbitë, kura përfundimtare për të rikthyer besimin qenka kthimi te regjistri me fletore i ankesave, ku deputeti do të ulet "me zë të ulët" e pa kamera për të dëgjuar "robin e zotit".
Eshtë sa komike aq edhe paradoksale që një mazhorancë që ka pasur në dorë çdo pushtet, çdo drejtori e çdo ligj prej më shumë se një dekade, sot u bën thirrje deputetëve të vet "të mos kthehen në sekserë" dhe "të mos marrin drejtorët në telefon". Një autokritikë e vVonuar që e shet "zbulimin e rrotës" si një vizion të ri politik, ndërsa u kërkon qytetarëve të njëjtën gjë: të presin të premten tjetër, në orën 5, për të parë nëse këtë herë e vërteta do të pasqyrohet ndryshe.
Kryeministri Edi Rama u ka vendosur një kusht të prerë deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Socialiste, duke u kërkuar prani javore dhe direkte në terren me qytetarët, larg mbledhjeve rutinë dhe kamerave televizive.
Gjatë fjalës së tij, Rama deklaroi se ky detyrim do të jetë i padiskutueshëm për sa kohë ai të jetë në krye të forcës politike.
“Çdo të premte në orën 5, deri sa unë të jem kryetar i PS, do të keni praninë besnike. Të gjithë, në territor, pranë njerëzve. Jo për mbledhje, ku vijnë njerëzit, flasin dhe fillojmë flasim. Prania besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët”, tha kryeministri.
Sipas kreut të qeverisë, takimet duhet të shërbejnë për të dëgjuar shqetësimet e çdo qytetari pa asnjë lloj dallimi apo favorizimi politik:
“Të vijë kushdo të qajë hallin, të flasë tek për tek, dhe të mbajë shënim hallin që robi i zotit po flet. Pa kamera. Vetëm me foto në fillim të takimit nëse personi pranon, dhe pa ekspozim fytyre. Refuzohet përkatësia partiake, nuk ka rëndësi.”
Gjithashtu, Rama u bëri thirrje të prerë ligjvënësve socialistë që të mos kthehen në ndërmjetës apo të shkelin rregullat për të premtuar zgjidhje të jashtëligjshme, por të ndjekin rrugën zyrtare.
“Mos jepni shpresë për ndihmë jashtë rregullave. Deputeti nuk kthehet sekser, të mos marrin asnjë drejtor në telefon, por të dërgojë me shkrim institucional hallin e qytetarit”, u shpreh ai.






















