Dy ditë para mbledhjes së paralajmëruar të Asamblesë së Partisë Socialiste, Evis Sala largohet nga drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke mbyllur një mandat të shkurtër në krye të një prej dikastereve më të rëndësishme të qeverisë.
Largimi i saj u bë i ditur këtë të mërkurë, ndërsa disa media raportuan se Sala ka paraqitur dorëheqjen gjatë mbledhjes së qeverisë, me argumentin se do të vijojë karrierën akademike. Megjithatë, lëvizja vjen në një moment politik delikat, vetëm pak orë para mbledhjes së Asamblesë së PS, ku priten ndryshime në kabinetin qeveritar.
VNA kishte paralajmëruar ditë më parë mundësinë e largimit të Evis Salës nga qeveria. Sipas burimeve të VNA, pas vendimit qëndrojnë pakënaqësi të forta në raport me mënyrën se si është drejtuar Ministria e Shëndetësisë, si dhe mosmarrëveshje të brendshme lidhur me vendimmarrje të rëndësishme në sektor.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se një nga pikat më të ndjeshme ka qenë lidhja e përfolur e ministres me biznesmenin Klodian Allajbeu dhe dyshimet për favorizime në sektorin e shëndetësisë. Këto pretendime nuk janë shoqëruar deri më tani me një qëndrim zyrtar nga qeveria apo nga vetë Sala.
Evis Sala u prezantua nga kryeministri Edi Rama si ministre e Shëndetësisë në shtator 2025, me theks te profili i saj akademik dhe karriera ndërkombëtare në fushën e imazherisë onkologjike. Por qëndrimi i saj në kabinet zgjati më pak se një vit, duke e kthyer largimin në një nga lëvizjet më të shpejta të qeverisë “Rama 4”.
Zyrtarisht, arsyeja e largimit është rikthimi te karriera akademike. Politikisht, megjithatë, largimi i Salës lexohet si sinjali i parë i ndryshimeve që Rama pritet të zyrtarizojë në prag të Asamblesë së PS.






















