
Një anije mallrash është fundosur pas përplasjes me një tjetër mjet lundrues në Detin Marmara, pranë Stambollit, ndërsa dhjetë anëtarët e ekuipazhit rezultojnë të zhdukur.
Aksidenti ndodhi rreth orës 03:00, afro 32 kilometra në jug të Silivrit, periferi e Stambollit. Anija “Tugberk İmamoglu” u përplas me mjetin me flamur turk “Alsu”, i cili, sipas autoriteteve, nuk ka pësuar dëmtime të dukshme.
Pas përplasjes, çdo kontakt me ekuipazhin e anijes së mallrave u ndërpre. Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur një varkë shpëtimi dhe mbetje të tjera të “Tugberk İmamoglu”, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të personave që ndodheshin në bord.
Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve Detare bëri të ditur se anija konsiderohet e fundosur, pasi nuk iu përgjigj thirrjeve, ndërsa kontaktimi përmes telefonave të anëtarëve të ekuipazhit rezultoi i pamundur.
Ministri turk i Transportit, Abdulkadir Uraloğlu, konfirmoi se në bord ndodheshin dhjetë marinarë, përfshirë kapitenin, të gjithë shtetas turq.
Anija 90 metra e gjatë po lundronte nga porti mesdhetar i Iskenderunit drejt Ereğlit, në Detin e Zi, kur ndodhi përplasja.
Ndërkohë, anija “Alsu”, me gjatësi 91 metra, po udhëtonte nga Kocaeli drejt Aliağas, në bregdetin e Egjeut.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për gjetjen e dhjetë marinarëve të zhdukur.






















