
Eurodeputeti austriak Helmut Brandstetter i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Evropian pezullimin e menjëhershëm të negociatave të anëtarësimit me Serbinë, si dhe bllokimin e fondeve dhe pagesave të Bashkimit Evropian për Beogradin.
Kërkesa vjen pas nderimeve publike që përfaqësues të autoriteteve serbe i bënë ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Brandstetter, pjesë e grupit liberal “Rinovo Evropën” dhe raportues në hije i Parlamentit Evropian për Serbinë, kërkoi që masat të mbeten në fuqi derisa autoritetet në Beograd të distancohen qartë dhe pa mëdyshje nga glorifikimi i kriminelëve të luftës.
Eurodeputeti kërkoi gjithashtu që, deri në një distancim të tillë, të mos ndërmerret asnjë hap i mëtejshëm lidhur me integrimin e Serbisë në hapësirën Shengen.
“Ratko Mlladiq është dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Kur përfaqësues të autoriteteve të një vendi kandidat për anëtarësim në BE, pas vdekjes së tij, e glorifikojnë një person të tillë, është kaluar vija e kuqe. Kjo përbën tallje me viktimat dhe familjet e tyre dhe është në kundërshtim themelor me vlerat e Bashkimit Evropian”, deklaroi Brandstetter.
Nderimet ndaj Mlladiqit dhe përfshirja e përfaqësuesve shtetërorë serbë kanë shkaktuar reagime edhe në Shtetet e Bashkuara. Një kongresist amerikan e krahasoi këtë veprim me një situatë hipotetike ku Gjermania do t’i bënte nderime shtetërore Adolf Hitlerit.






















