Aeroplanmbajtësja amerikane USS Abraham Lincoln ka mbërritur në portin Laem Chabang të Tajlandës pas plot 286 ditësh radhazi në det, një dislokim që ligjvënës amerikanë e kanë cilësuar rekord të epokës moderne.
Në anije ndodhen rreth 5 mijë marinarë dhe pjesëtarë të Marinës amerikane, të cilët u dislokuan në nëntor të vitit të kaluar dhe kanë kaluar pjesën më të madhe të kohës në operacione ushtarake.
USS Abraham Lincoln u përfshi në bllokadën detare amerikane dhe në operacionet luftarake gjatë konfliktit me Iranin.
Një dislokim normal i Marinës amerikane zgjat zakonisht nga gjashtë deri në nëntë muaj, por mund të zgjatet gjatë periudhave të luftës.
Qëndrimi jashtëzakonisht i gjatë në det ka ngritur shqetësime në SHBA për kushtet në bord dhe veçanërisht për shëndetin mendor të ekuipazhit.
Tani, pas 286 ditësh, marinarët do të kenë pesë ditë pushim në Tajlandë. Anija do të qëndrojë në Laem Chabang, pranë Pattayas.
Mbërritja e mijëra ushtarakëve amerikanë ka krijuar pritshmëri të mëdha edhe te bizneset lokale në Pattaya. Rreth 40 autobusë do të transportojnë personelin mes portit dhe qytetit turistik.
Autoritetet tajlandeze kanë njoftuar shtim të patrullave policore dhe kanë përcaktuar një sërë aktivitetesh që personelit amerikan nuk do t’i lejohen gjatë qëndrimit.
Bangkok ka theksuar se vizita ka karakter logjistik dhe çlodhës dhe nuk lidhet me zhvillimet aktuale të luftës në Lindjen e Mesme.
Tajlanda është aleatja e vetme me traktat e SHBA-së në pjesën kontinentale të Azisë Juglindore dhe marrëdhëniet ushtarake mes dy vendeve datojnë prej dekadash.






















