Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka dënuar ashpër atë që autoritetet gjermane e kanë cilësuar si një tentativë sulmi me dron në Aeroportin Leipzig duke riafirmuar solidaritetin e Bashkimit Evropian me Gjermaninë.
“Ne dënojmë në termat më të ashpër të mundshëm tentativën e Rusisë për sulm me dron në Aeroportin e Leipzigut”, shkroi Costa në rrjetin social X.
Ai kërkoi që Rusia të ndalë luftën kundër Ukrainës, duke argumentuar se Moska nuk duhet ta përshkallëzojë situatën përmes veprimeve të tjera destabilizuese.
Costa theksoi se Bashkimi Evropian mbetet “i fortë dhe i bashkuar” dhe se mbështetja për Ukrainën është e palëkundur.
“BE-ja qëndron në solidaritet të plotë me Gjermaninë”, deklaroi ai, duke shtuar se Brukseli do të bashkëpunojë me Berlinin dhe shtetet e tjera anëtare për të rritur presionin ndaj Moskës, derisa Rusia të tregojë gatishmëri për të ndryshuar kurs.
Reagimi i Costas vjen pasi qeveria gjermane akuzoi Rusinë për përfshirje në incidentin e 4 gushtit, kur një dron i pajisur me eksplozivë u gjet pranë një avioni ukrainas në aeroportin Leipzig dhe u çaktivizua nga autoritetet. Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt tha se hetimet dhe të dhënat e inteligjencës e lidhin rastin me operacione hibride ruse në Evropë.
Berlini ka paralajmëruar ndërkohë masa të reja ndaj Moskës, përfshirë sanksione dhe forcimin e kontrolleve, ndërsa Rusia ka hedhur poshtë akuzat gjermane.






















