Bilanci i përmbytjeve katastrofike që goditën Nepalin është rënduar ndjeshëm, ndërsa ekipet e shpëtimit po arrijnë në zona që për disa ditë kishin mbetur të izoluara.
Të paktën 939 persona kanë humbur jetën, sipas bilancit të bërë publik nga kryeministri Balendra Shah, ndërsa mijëra familje kanë humbur shtëpitë, të afërmit dhe pronat e tyre.
Rreth 11 mijë persona janë shpëtuar deri tani në të gjithë zonën e prekur, por afro 600 të tjerë vazhdojnë të jenë të bllokuar në disa hidrocentrale të shkatërruara në Himalaje.
Hidrocentralet janë kthyer në një nga pikat kryesore të operacionit të kërkim-shpëtimit. Autoritetet vlerësojnë se fillimisht afro 1 mijë punonjës ishin bllokuar në këto struktura, ndërsa deri tani 279 prej tyre janë nxjerrë.
Ekipet po përdorin makineri të rënda për të larguar baltën dhe shkëmbinjtë, ndërsa ushtarët po përpiqen të depërtojnë në tunelet e hidrocentraleve për të gjetur të mbijetuar.
Katastrofa u shkaktua nga shembja e një akullnaje, e cila lëshoi një masë të jashtëzakonshme uji, akulli, shkëmbinjsh dhe balte drejt luginave.
Rrugë dhe ura të përkohshme po ndërtohen për të arritur në zonat më të izoluara. India dhe Kina po ndihmojnë në operacionet e shpëtimit, ndërsa në Nepal kanë mbërritur më shumë se 42 milionë dollarë ndihma.
Autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të ndryshojë ndërsa ekipet hyjnë në fshatra dhe zona që deri tani kanë qenë të paarritshme.
Qeveria nepaleze e ka lidhur katastrofën me rreziqet në rritje që ndryshimet klimatike po krijojnë në Himalaje, ndërsa Kina tha se paqëndrueshmëria e akullnajës lidhej me efektet afatgjata të ngrohjes globale.






















