Bota 31 August 2026, 17:24 Nga VNA

Gjermani/ Saksonia-Anhalt në prag të kthesës së zezë: AfD mund të marrë pushtetin për herë të parë

Ndaje në Whatsapp
Gjermani/ Saksonia-Anhalt në prag të kthesës së zezë:

Në Saksonia-Anhalt, në lindje të Gjermanisë, fushata elektorale po zhvillohet nën hijen e një alarmi të madh politik: AfD, partia e ekstremit të djathtë, është në kuotën rreth 40% dhe për herë të parë mund të vijë në pushtet në një land gjerman.

Në qendër të kësaj vale është Ulrich Siegmund, kandidati kryesor i AfD-së, të cilin revista gjermane Der Spiegel e ka quajtur “njeriu më i rrezikshëm i Gjermanisë”. Në një tubim në Röblingen, mbështetësit presin gjatë për t’i dhënë dorën apo për të bërë një foto me të. Disa prej tyre mbajnë në duar pikërisht kopertinën e Spiegel, të kthyer tashmë në objekt krenarie për bazën e AfD-së në lindje të vendit.

Pamja në shesh është e rëndë: tatuazhe me rune, simbole naziste, kafka të SS-ve dhe “dielli i zi”, simbol i njohur i qarqeve neo-naziste, shfaqen hapur në krahë, këmbë e qafë. Ndryshe nga pak vite më parë, nostalgjikët e së djathtës ekstreme nuk fshihen më. Ekstremizmi tashmë ekspozohet, ndërsa në tubime marrin pjesë edhe familje me fëmijë.

Sipas raportimit të korrespondentes së La Repubblica, Tonia Mastrobuoni, rreth Siegmundit nuk ka vetëm retorikë të ashpër, por edhe lidhje problematike me qarqe neonaziste. Bashkëpunëtorë të tij të afërt janë përmendur për të kaluarën në organizata të ndaluara, përfshirë struktura që konsiderohen trashëgimtare të rinisë hitleriane. Megjithatë, këto zbulime nuk duket se e kanë dëmtuar AfD-në në sondazhe.

Përkundrazi, radikalizimi duket se po shpërblehet politikisht. Brenda rrethit të Siegmundit, modeli i Giorgia Melonit konsiderohet “i zbutur” dhe “anti-model”. Ideja e “melonizimit”, pra e moderimit për të fituar më shumë legjitimitet institucional, tashmë shihet si një fjalë e papranueshme. Mesazhi është i qartë: AfD në Saksonia-Anhalt nuk kërkon të duket më e butë, por më e fortë.

Kundërshtarët politikë flasin hapur për rrezik. Guvernatori në largim, Sven Schulze i CDU-së, ka deklaruar se nuk do të ketë aleancë me AfD-në dhe se “kordoni sanitar” ndaj ekstremit të djathtë nuk do të bjerë. Por ai pranon se pakënaqësia ndaj qeverisë federale në Berlin ka ndikuar fort në humorin e votuesve. Për të, idetë e Siegmundit janë “të rrezikshme” dhe mund ta çojnë rajonin drejt “katastrofës”.

Edhe kandidati i SPD-së dhe zëvendësguvernatori Armin Willingmann paralajmëron se klima ka ndryshuar tashmë. Sipas tij, migrantët janë gati të largohen, universitetet kanë vështirësi të tërheqin talente nga jashtë dhe bizneset janë të shqetësuara. Një tjetër shqetësim lidhet me raportet e disa figurave të AfD-së me Rusinë, aq sa autoritetet federale kanë ngritur alarmin për rrezikun që informacione të ndjeshme të përfundojnë në Moskë.

Programi politik i AfD-së në Saksonia-Anhalt parashikon goditje ndaj krerëve të shërbimeve të inteligjencës rajonale, ndërprerje të kontratës me radiotelevizionin publik, presion ndaj migrantëve përmes të ashtuquajturës “remigrim”, si dhe mbështetje për patrulla private apo struktura “mbrojtjeje civile”. Partia synon gjithashtu ndryshime të thella në arsim, me një logjikë segreguese që mund të prekë jo vetëm migrantët, por edhe personat me aftësi të kufizuara.

Përballë kësaj vale, në rrugë janë mobilizuar komitete që kërkojnë ndalimin e AfD-së dhe grupe që promovojnë votën taktike. Qëllimi është që sa më shumë parti demokratike të kalojnë pragun 5% për të hyrë në parlamentin rajonal, duke ulur mundësinë që AfD të marrë shumicën absolute të vendeve. Sipas aktivistëve, nëse SPD dhe të Gjelbrit arrijnë të hyjnë në parlament, shanset e AfD-së për të qeverisur e vetme bien ndjeshëm.

Megjithatë, një variabël mbetet Sahra Wagenknecht dhe lëvizja e saj e majtë-nacionaliste. Nëse ajo kalon pragun zgjedhor, ka sinjalizuar se mund t’i japë mbështetje të jashtme AfD-së. Në skenarin më të keq për kundërshtarët e ekstremit të djathtë, pikërisht Wagenknecht mund të bëhet figura që i hap rrugën guvernatorit të parë të ekstremit të djathtë në Gjermani që nga viti 1945.

Në protestat kundër AfD-së, të rinjtë flasin për një atmosferë gjithnjë e më të rëndë. Max Schneller, 17 vjeç, aktivist i së majtës dhe i njohur në Instagram si “maximal.demokratisch”, thotë se mbrojtja e vlerave humaniste dhe demokratike në Saksonia-Anhalt është bërë problem më vete. Për Siegmundin ai përdor një përkufizim të prerë: “posterboy-fashist”.

Zgjedhjet e 6 shtatorit në Saksonia-Anhalt mund të shënojnë një moment historik për Gjermaninë. Jo thjesht një fitore rajonale të AfD-së, por testin e parë real nëse ekstremi i djathtë mund të marrë pushtetin ekzekutiv në një pjesë të vendit që dikur ndërtoi gjithë identitetin e pasluftës mbi premtimin: Kurrë më.

Video

Në video, ministri izraelit i ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir shfaqet gjatë një vizite në një burg grash, ku përballet me një të burgosur palestineze përmes një përkthyeseje. Gruaja i ankohet për kushtet e rënda të burgimit, duke thënë se nuk kanë ujë në dhoma, nuk mund të bëjnë dush normalisht, nuk marrin kujdes mjekësor dhe prej ditësh nuk u lejohet as të ndërrojnë të brendshmet. Ben-Gvir nuk i përgjigjet me shqetësim, por me përçmim: i thotë se “kampet verore në burgjet izraelite kanë mbaruar” dhe se, për sa kohë ai është në krye të sistemit, të burgosurit që sipas tij kanë dëmtuar izraelitët nuk do të trajtohen “si në hotel”.

Igli Tare ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas rreth tre orësh. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare u paraqit këtë të hënë në SPAK në kuadër të hetimeve për dosjen “Balluku”. Sipas dyshimeve të ngritura në kuadër të hetimit, Tare dyshohet se ka mbajtur në emrin e tij një vilë në Dhërmi, e cila dyshohet se i përket ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Prona në fjalë është vendosur nën sekuestro.

KPP “shpëton” tenderin 340 mijë euro të Celibashit/ Kriteret si “kostum me porosi”, por KPP mbyll sytë para elefantit në dhomë

Si e shpëtoi Belinda Balluku mandatin dhe veten nga prangat më 2 korrik, kur opozita vendosi të flinte gjumë....

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme