Duke nisur nga sot, konsumatorët në Greqi do të gjejnë në raftet e supermarketeve mbi 1.660 produkte me çmime të reduktuara, ndërsa lista pritet të zgjerohet në më shumë se 1.700 artikuj.
Masa vjen pas një marrëveshjeje mes qeverisë greke dhe bizneseve vendase, me synimin për të lehtësuar familjet nga kostot e larta të jetesës. Në listë përfshihen produkte të konsumit të përditshëm, nga mielli, qumështi dhe mishi, te detergjentët, shampo, pelenat për fëmijë dhe mjetet shkollore.
Ulja mesatare e çmimeve parashikohet rreth 7%, në varësi të produktit, dhe do të zbatohet për një periudhë nga dy deri në katër muaj. Për disa artikuj reduktimi do të jetë ndjeshëm më i madh, duke arritur në raste të caktuara deri në 35%.
Produktet e përfshira në program do të kenë një shenjë të posaçme në supermarkete, ndërsa konsumatorët do të mund t’i identifikojnë edhe përmes platformës online “PosoKanei” (“Sa kushton”). Organizatat e konsumatorëve sqarojnë se uljet nuk vlejnë për të gjitha produktet e një kategorie, por vetëm për artikujt konkretë që janë pjesë e marrëveshjes.
Paralelisht, qeveria po shqyrton vijimin e masave për karburantet. Pritet një vendim për vazhdimin e subvencionit prej 10 centësh për litër për naftën, në një kohë kur çmimet e karburanteve mbeten mbi dy euro për litër.
Masat vijnë vetëm pak ditë përpara Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, ku kryeministri Kyriakos Mitsotakis pritet të prezantojë një paketë të re ekonomike në mbështetje të familjeve dhe të ardhurave, e cila sipas raportimeve mund të arrijë në 1.7 miliardë euro.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare, partitë opozitare vijojnë kritikat ndaj qeverisë, duke e vendosur rritjen e kostos së jetesës në qendër të debatit politik. Çmimet e ushqimeve, karburanteve, energjisë elektrike dhe qirave mbeten ndër shqetësimet kryesore për familjet greke.






















