Operatorët e transportit publik kanë paralajmëruar reduktimin me 20 deri në 30% të numrit të mjeteve në qarkullim, duke nisur nga 1 shtatori 2026.
Vendimi është bërë i ditur përmes një kërkese drejtuar Kryeministrisë, ku operatorët argumentojnë se situata financiare e ka bërë të pamundur vijimin e shërbimit me kapacitet të plotë. Sipas tyre, një ndër problemet kryesore lidhet me kostot e karburantit, të cilat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve të aktivitetit.
Operatorët sqarojnë se reduktimi i flotës nuk është një zgjedhje dhe as pasojë e mungesës së vullnetit për të garantuar shërbimin, por një masë e detyruar nga pamundësia për të përballuar kostot e operimit.
Ulja e numrit të mjeteve pritet të ndikojë drejtpërdrejt te qytetarët. Sipas paralajmërimit, do të ketë më pak autobusë në qarkullim, intervale më të gjata pritjeje, mbingarkesë të mjeteve që do të vazhdojnë shërbimin dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik.
Në kërkesën drejtuar Kryeministrisë, operatorët kërkojnë ndërhyrje urgjente të institucioneve përgjegjëse dhe një përgjigje konkrete për kërkesat e tyre. Ata kërkojnë gjithashtu realizimin e kompensimit të parashikuar për kostot e karburantit dhe vijimin e mbështetjes financiare.
“Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm”, thuhet në njoftim.
Operatorët paralajmërojnë se, pa një zgjidhje të shpejtë, situata mund të sjellë përkeqësim të mëtejshëm të transportit publik, ndërsa kërkojnë marrjen e masave për rikthimin sa më parë të flotës në kapacitet të plotë.






















