Një 32-vjeçar i arrestuar për vjedhje ka humbur jetën këtë të hënë, pasi është konstatuar në gjendje të rënduar shëndetësore në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë.
Sipas njoftimit paraprak të policisë, rreth orës 09:50, E. Sh., 32 vjeç, banues në Vlorë, është gjetur në gjendje të rënduar në ambientet e dhomave të shoqërimit.
Menjëherë është njoftuar shërbimi mjekësor dhe 32-vjeçari është transportuar drejt Spitalit Rajonal Vlorë. Pavarësisht ndërhyrjes, në orën 10:05 mjekët kanë konfirmuar vdekjen e tij.
Paraprakisht dyshohet se i riu ka humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa pritet që hetimet të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes.
E. Sh. ishte arrestuar në flagrancë më 29 gusht, rreth orës 23:00, për veprën penale “Vjedhja”.
Nën drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të rastit.






















