Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Kurbnesh të Mirditës, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë.
Burime bëjnë me dije se në automjet po udhëtonin tre djem të rinj, të cilët po ktheheshin nga Lura. Dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, duke bërë që automjeti të dalë nga rruga dhe të përfundojë në greminë.
Si pasojë e aksidentit, një prej të rinjve ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerët kanë mbetur të plagosur rëndë.
Të plagosurit janë transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet se janë në gjendje të rëndë për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe grupi hetimor, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Mirditë/Informacion paraprak
Në aksin rrugor Lurë–Rrëshen, në fshatin Kurbnesh, Mirditë, automjeti që drejtohej nga shtetasi A. K., rreth 20 vjeç, ka dalë nga rruga.
Si pasojë, shtetasi C. N., rreth 20 vjeç, pasagjer në automjet, ka ndërruar jetë. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 20 vjeç, dhe pasagjeri tjetër, i mitur, rreth 15 vjeç, janë transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.






















