
Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku.
Shpataraku u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave, në Durrës, teksa drejtonte automjetin ku udhëtonte edhe Ergys Agasi, i cili ishte shpallur në kërkim prej muajsh nga SPAK. Ndaj ish-zyrtarit rëndon akuza për “përkrahje të autorit të krimit”.
Arrestimi i Agasit dhe Shpatarakut erdhi pas një operacioni të koordinuar mes Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit. Sipas SPAK, Agasi ishte në kërkim në kuadër të procedimit penal që lidhet edhe me hetimet për tenderët e AKSHI-t.
Ndërkohë, pas arrestimit të Shpatarakut, autoritetet sekuestruan në banesën e tij shtatë armë që ai i zotëronte me leje: tre pistoleta, dy shotgun dhe dy pushkë. Shpataraku ishte përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit disa javë përpara arrestimit.






















