Një prej ëmbëlsuesve që përdoret gjerësisht si alternativë ndaj sheqerit është vënë sërish nën vëzhgimin e shkencëtarëve.
Bëhet fjalë për ksilitolin, një ëmbëlsues që gjendet në produkte të ndryshme, nga çamçakëzët dhe reçeli deri te kosi, akulloret dhe pasta e dhëmbëve.
Një studim i madh i prezantuar në kongresin vjetor të Shoqatës Europiane të Kardiologjisë analizoi të dhënat e 17,710 personave.
Studiuesit krahasuan 25% të pjesëmarrësve me nivelet më të larta të ksilitolit në gjak me 25% që kishin nivelet më të ulëta.
Rezultatet treguan se personat me nivelet më të larta kishin 57% më shumë gjasa që brenda gjashtë viteve të pësonin infarkt, goditje në tru ose të humbnin jetën, krahasuar me grupin me nivelet më të ulëta.
Edhe pas një periudhe 30-vjeçare, te grupi me nivele të larta rezultonte një rrezik 18% më i madh për këto ngjarje kardiovaskulare.
Studiuesit thonë se rezultatet janë veçanërisht të rëndësishme për shkak të rritjes së përdorimit të ëmbëlsuesve artificialë nga konsumatorët që kërkojnë alternativa ndaj sheqerit.
Megjithatë, ekspertët bëjnë një sqarim të rëndësishëm: studimi është vëzhgues dhe nuk provon se ksilitoli shkakton drejtpërdrejt infarktin apo goditjen në tru.
Autorët kërkojnë studime të tjera për të kuptuar efektet afatgjata të konsumimit të tij dhe sigurinë kardiovaskulare të ëmbëlsuesit.






















