
Mounjaro, ilaçi i njohur i Eli Lilly për diabetin tip 2 dhe humbjen e peshës, ka marrë një miratim të ri të rëndësishëm nga FDA në SHBA: përdorimin për uljen e rrezikut nga infarkti, goditja në tru dhe vdekja kardiovaskulare te të rriturit me diabet tip 2 dhe rrezik të lartë për sëmundje zemre.
Vendimi e kthen Mounjaro-n në më shumë se një ilaç për kontrollin e sheqerit apo peshës. Sipas Lilly-t, miratimi u bazua në një studim të madh me mbi 13 mijë pacientë në 30 vende, ku Mounjaro u krahasua me Trulicity, një tjetër ilaç i përdorur për diabetin. Rezultatet treguan se Mounjaro kishte një normë 8% më të ulët të vdekjes kardiovaskulare, infarktit ose goditjes në tru.
Megjithatë, lajmi nuk do të thotë se Mounjaro është “ilaç mrekullie” për të gjithë. Miratimi vlen për pacientë me diabet tip 2 dhe rrezik të lartë kardiovaskular, ndërsa përdorimi duhet bërë vetëm me recetë dhe nën ndjekje mjekësore.
Për Eli Lilly-n, ky është një tjetër hap i madh në betejën globale të ilaçeve të reja metabolike. Për pacientët, është një sinjal se gjenerata e re e barnave për diabetin po del përtej sheqerit në gjak dhe peshës, duke hyrë gjithnjë e më fort edhe në territorin e mbrojtjes së zemrës.






















