
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Belgjikë, ku një burrë 40-vjeçar nga Puurs-Sint-Amands është rrëmbyer nga tre persona të maskuar si policë dhe është mbajtur peng për disa ditë, dyshohet në zonën e Charleroi-t.
Sipas Prokurorisë së Antwerpit, pengmarrja nisi të hënën, më 17 gusht. Viktima po udhëtonte me makinën e tij në Oppuurseweg, kur një automjet tjetër i preu rrugën dhe e bllokoi. Nga makina dolën tre burra të maskuar, të cilët pretenduan se ishin policë. Ata mbanin edhe një shirit portokalli në krah, të ngjashëm me atë të përdorur nga policia.
40-vjeçari u përpoq të rezistonte, por autorët arritën ta fusnin me forcë në bagazhin e makinës së tyre dhe u larguan nga vendngjarja.
Dëshmitarë okularë arritën të fotografonin targën e automjetit dhe ia dorëzuan atë policisë. Hetimet treguan shpejt se targa ishte e vjedhur. Përmes sistemit automatik të njohjes së targave, ANPR, hetuesit zbuluan se autorët, pas rrëmbimit, ishin nisur në drejtim të Charleroi-t, ku dyshohet se viktima është mbajtur peng.
“Gjatë ditëve në vijim është kryer një hetim shumë intensiv, falë të cilit viktima u arrit të nxirrej në siguri të premten, më 21 gusht”, tha Kato Belmans nga Prokuroria e Antwerpit. Sipas saj, 40-vjeçari, duke marrë parasysh rrethanat, ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Po atë ditë, me urdhër të gjyqtarit hetues, policia kreu kontrolle në disa adresa në Antwerp, Bruksel dhe Sint-Gillis. Gjatë operacionit u arrestuan tre persona: dy shqiptarë, të moshës 27 dhe 42 vjeç, si dhe një belg 44-vjeçar. Ata janë arrestuar nën dyshimin për pengmarrje.
Dhoma e këshillit ka konfirmuar sot masën e arrestit për dy nga tre të dyshuarit. Për të dyshuarin e tretë, një nga shqiptarët, vendimi për vijimin e paraburgimit pritet të merret më vonë.






















