Politikat e reja industriale të Bashkimit Europian po krijojnë tensione me disa prej partnerëve ekonomikë më të afërt të bllokut, mes tyre Norvegjia dhe Zvicra.
Sipas Financial Times, shqetësimi lidhet me orientimin gjithnjë e më të fortë të Brukselit drejt politikave “Made in Europe”, subvencioneve dhe masave mbrojtëse për kompanitë europiane.
BE-ja po përpiqet të mbrojë industrinë e saj përballë konkurrencës së fortë nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Por masat po prekin edhe vende europiane që nuk janë anëtare të Unionit, pavarësisht se ekonomitë e tyre janë të lidhura ngushtë me tregun europian.
Zvicra ka paralajmëruar se politikat e reja duhet të marrin parasysh të gjithë zinxhirin europian të furnizimit dhe jo vetëm kompanitë brenda BE-së.
Edhe në Norvegji po rritet debati. Kufizimet europiane ndaj importeve të çelikut kanë treguar se qëndrimi jashtë BE-së mund të ketë një kosto ekonomike.
Një diplomat norvegjez i cituar nga FT e përmblodhi dilemën duke thënë se vendi duhet të jetojë me pasojat e zgjedhjes për të qëndruar jashtë Unionit ose të diskutojë nëse duhet të anëtarësohet.
Problemi kryesor për vende si Norvegjia dhe Zvicra është se shumë vendime që ndikojnë drejtpërdrejt ekonomitë e tyre merren në Bruksel, ndërsa ato nuk kanë përfaqësues në tryezën ku zhvillohen negociatat.
Debati merr rëndësi edhe më të madhe në një kohë kur Islanda po voton nëse duhet të rihapë negociatat për anëtarësim në BE.
Në këtë mënyrë, përpjekja e Brukselit për të mbrojtur industrinë europiane mund të ketë një efekt të papritur: të rihapë debatin për anëtarësimin në BE në disa prej vendeve më të pasura të Europës.






















