
Islanda po zhvillon këtë të shtunë një referendum të rëndësishëm, ku qytetarët do të vendosin nëse vendi duhet të rinisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, më shumë se një dekadë pasi procesi u ndërpre.
Gara pritet të jetë tepër e ngushtë, ndërsa sondazhet e fundit tregojnë një ndarje pothuajse të barabartë mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të rikthimit në tryezën e negociatave me Brukselin.
Referendumi i 29 gushtit nuk përcakton drejtpërdrejt nëse Islanda do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Në rast se fiton vota “Po”, qeverisë do t'i hapet rruga për të rifilluar negociatat me BE-në. Nëse më pas arrihet një marrëveshje anëtarësimi, ajo do t'u nënshtrohet qytetarëve në një referendum të dytë.
Fushata përpara votimit është përqendruar kryesisht te kostoja e jetesës, siguria kombëtare, sovraniteti dhe kontrolli mbi ujërat e peshkimit, një sektor me rëndësi të veçantë për ekonominë islandeze.
Mbështetësit e afrimit me BE-në argumentojnë se anëtarësimi mund t'i sigurojë Islandës më shumë stabilitet ekonomik, norma më të ulëta interesi dhe një pozicion më të fortë përballë pasigurive gjeopolitike.
Nga ana tjetër, kundërshtarët druhen se afrimi me Brukselin mund të kufizojë sovranitetin e vendit dhe veçanërisht kontrollin mbi burimet e peshkimit.
Çështja ka marrë një dimension të ri edhe për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në Arktik, përfshirë deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Groenlandën.
Islanda aplikoi për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian në vitin 2009, pas krizës së rëndë financiare që goditi vendin. Negociatat nisën një vit më vonë, por procesi u pezullua në vitin 2013 pas ardhjes në pushtet të një qeverie euroskeptike.
Pavarësisht se nuk është pjesë e BE-së, Islanda ka aktualisht lidhje shumë të ngushta me bllokun europian. Ajo është pjesë e Zonës Ekonomike Europiane dhe e hapësirës Schengen, duke pasur akses në tregun e përbashkët europian pa qenë anëtare me të drejta të plota.
Sipas Reuters, një sondazh i publikuar vetëm një ditë përpara referendumit tregonte një avantazh të lehtë të kundërshtarëve të rinisjes së negociatave, ndërsa sondazhe të mëparshme kishin nxjerrë përpara kampin pro negociatave.
Nëse vota “Po” triumfon, procesi i negociatave me Brukselin mund të rifillojë deri në fund të vitit 2026 dhe, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Jashtme islandeze, të zgjasë rreth 18 deri në 24 muaj. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi islandezët do të thirreshin sërish në votime për të marrë vendimin përfundimtar: anëtarësim ose jo në Bashkimin Europian.






















