Mungesa e parave “cash” po kthehet në një tjetër sfidë të rëndë për jetën e përditshme të banorëve të Gazës. Kartëmonedhat e përdorshme janë gjithnjë e më të rralla, ndërsa dëmtimi i sistemit bankar dhe problemet me internetin po e bëjnë të vështirë edhe kryerjen e pagesave elektronike.
Në lagjen Sheikh Radwan të qytetit të Gazës, Firas Zaqloul përballet pothuajse çdo ditë me vështirësi për të kryer edhe blerjet më të zakonshme.
Shtëpia e tij u shkatërrua gjatë luftës, ndërsa dokumenti palestinez i identitetit i mbeti nën rrënoja. Për pasojë, ai thotë se nuk ka mundur të hapë një llogari bankare apo portofol elektronik dhe është i detyruar të përdorë kartëmonedha të vjetra e të dëmtuara, të cilat shumë tregtarë nuk i pranojnë.
Situata e tij nuk është e izoluar. Mungesa e parave fizike të përdorshme është kthyer në një problem të përhapur në Gaza, ku qytetarët mund të kenë para, por shpesh nuk arrijnë t’i përdorin ato.
Sipas Autoritetit Monetar Palestinez, më shumë se 50 degë bankash dhe dhjetëra bankomate janë shkatërruar gjatë konfliktit. Sasi të konsiderueshme parash kanë mbetur gjithashtu të bllokuara në kasafortat e bankave të dëmtuara.
Edhe pas rihapjes së disa degëve bankare pas armëpushimit të tetorit 2025, mungesa e likuiditetit ka vazhduar. Në të njëjtën kohë, shumë palestinezë që kanë humbur dokumentet gjatë luftës përballen me vështirësi për të përdorur shërbimet bankare elektronike.
Blerjet e zakonshme kthehen në sfidë
Pagesat elektronike janë shndërruar në një alternativë të domosdoshme, por edhe ato shoqërohen me probleme.
Studentja 23-vjeçare Israa Najm tregoi se iu desh të priste rreth dy orë në një dyqan derisa nëna e saj të realizonte nga shtëpia transfertën drejt shitësit. Për shkak të problemeve me dokumentacionin, ajo nuk mund të përdorë vetë llogarinë bankare apo portofolin elektronik.
Vështirësitë shtohen edhe më shumë nga ndërprerjet e internetit. Për shumë qytetarë, kryerja e një blerjeje kërkon tashmë një telefon të karikuar, lidhje interneti dhe akses në disa forma të ndryshme pagesash elektronike.
Situata ka bërë që bizneset që ofrojnë Wi-Fi falas të shndërrohen në pika informale ku grumbullohen shitës dhe blerës vetëm për të mundësuar realizimin e transfertave.
Edhe shitësit ambulantë po përshtaten me realitetin e ri. Disa prej tyre nuk pranojnë më para fizike për shkak të gjendjes së kartëmonedhave dhe mungesës së kusurit, duke kërkuar që pagesat të kryhen përmes transfertave bankare.
“Jemi lodhur”, është përshkrimi që një prej banorëve i bën situatës, teksa një veprim dikur i zakonshëm si blerja e ushqimeve është shndërruar në një proces që kërkon planifikim dhe përgatitje.






















