Një gjerdan i rrallë dhe me vlerë të madhe është vjedhur nga Muzeu i Arteve të Aplikuara në Vjenë, gjatë një ekspozite me bizhuteri. Policia austriake ka nisur hetimet, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar.
Dy persona të paidentifikuar kanë thyer vitrinën brenda muzeut gjatë orarit të vizitave, kanë marrë gjerdanin dhe janë larguar me vrap nga vendngjarja. Sipas policisë, gjatë grabitjes nuk ka pasur persona të lënduar.
Muzeu nuk ka bërë të ditur zyrtarisht se cili është objekti i vjedhur, por të dhënat në faqen e tij zyrtare sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për një gjerdan mbretëror të jashtëzakonshëm, i përbërë nga 673 diamante, me një peshë totale prej më shumë se 200 karatësh.
Gjerdani lidhet me mbretëreshën Nazli të Egjiptit, e cila e mbajti atë në vitin 1939, gjatë dasmës së vajzës së saj Fawzia me princin e atëhershëm të kurorës iraniane, Mohammad Reza Pahlavi, i cili më vonë u bë Shah i Iranit.
Objekti ishte pjesë e ekspozitës “Glanzstücke”, ku ishin prezantuar bizhuteri të rralla dhe me rëndësi historike.
Autoritetet austriake po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në vendngjarje për të identifikuar dy autorët dhe për të përcaktuar itinerarin e arratisjes së tyre.






















