
Mirësjellja, rregullat e sjelljes dhe respekti për të tjerët janë pjesë thelbësore e kulturës japoneze. Por ka raste kur edhe një gjest i bërë me qëllimin më të mirë mund të shkojë tepër larg. Dhe, në një emergjencë mjekësore, mund të kushtojë sekonda të çmuara.
Departamenti i Zjarrfikësve në qytetin Kanazawa, në Japoninë qendrore, u ka bërë një kërkesë të pazakontë qytetarëve: mos i rregulloni këpucët që ekipet e urgjencës lënë te dera kur hyjnë në një banesë.
Arsyeja është shumë praktike. Ndryshimi i pozicionit të këpucëve mund të pengojë paramedikët të dalin me shpejtësi nga shtëpia, veçanërisht kur transportojnë një pacient me barelë.
Në Japoni është zakon që kushdo që hyn në një shtëpi të heqë këpucët. Po aq e zakonshme është që i zoti i shtëpisë t’ua kthejë këpucët vizitorëve me majën drejt derës, në mënyrë që ata t’i veshin lehtësisht kur largohen.
Por paramedikët kanë sistemin e tyre.
Në një video të publikuar në Instagram, e cila ka grumbulluar më shumë se gjysmë milioni shikime që prej 5 gushtit, zjarrfikësit tregojnë se pjesëtarët e ekipit i lënë këpucët në pozicione të përcaktuara me kujdes pranë hyrjes.
Kjo u mundëson tre personave që mbajnë barelën të futin këmbët drejtpërdrejt në këpucët e tyre gjatë daljes, pa qenë nevoja të ndalojnë, të lëvizin pacientin në mënyrë të panevojshme apo të rrezikojnë zhvendosjen e maskës së oksigjenit.
Sipas zjarrfikësit Daisuke Yamashita, secili anëtar i ekipit përcakton drejtimin e këpucëve në varësi të rolit që ka gjatë ndërhyrjes. Kur dikush, nga mirësjellja, ua ndryshon pozicionin, veprimi mund të vonojë transportimin e pacientit.
“Nga përvoja jonë, mund të humbasim rreth 30 sekonda”, shpjegoi ai.
Zjarrfikësit theksojnë se e vlerësojnë gjestin e njerëzve që përpiqen t’ua sistemojnë këpucët. Por në një situatë emergjente ekziston një mënyrë shumë më e dobishme për të ndihmuar: familjarët mund të bëjnë gati paraprakisht kartën japoneze të identifikimit dhe sigurimeve sociale të pacientit, të njohur si “My Number”, ose një dokument tjetër identifikimi.
Videoja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë japonezë pranuan se nuk e dinin arsyen e vendosjes së këpucëve në atë mënyrë.
Por një nga komentet më të pëlqyera ofroi një zgjidhje edhe më të thjeshtë për konfliktin mes etikës japoneze dhe urgjencës:
“Është emergjencë. Unë thjesht do t’u thosha: ‘Ju lutem, hyni brenda me këpucë!’”






















