Presidenti amerikan Donald Trump thotë se nuk beson se Vladimir Putin do të guxojë të sulmojë territorin e një vendi anëtar të NATO-s, ndërsa në sfond janë zbuluar kontakte të nivelit të lartë mes shërbimeve sekrete amerikane dhe ruse.
“Nuk mendoj se do ta bëjë këtë”, ishte qëndrimi i Trump kur u pyet mbi mundësinë që Rusia të sulmojë territorin e Aleancës.
Deklarata vjen pasi drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, udhëtoi këtë javë në Moskë dhe zhvilloi bisedime me kreun e shërbimit rus të inteligjencës së jashtme, Sergei Naryshkin.
Naryshkin e konfirmoi takimin, duke e përshkruar si një takim pune ku u diskutuan çështje të ndjeshme që lidhen me kompetencat e dy shërbimeve të inteligjencës. Ai tha se vetë zhvillimi i një takimi të tillë nuk ishte diçka e pazakontë.
Vizita kishte shkaktuar spekulime se Ratcliffe mund të kishte udhëtuar drejt Rusisë për të përcjellë një paralajmërim amerikan lidhur me NATO-n.
Trump e minimizoi këtë interpretim, duke e paraqitur udhëtimin si pjesë të kontakteve të zakonshme të inteligjencës dhe jo si një mision të posaçëm paralajmërues.
Megjithatë, Reuters raporton se burime të paidentifikuara thanë se në bisedime u ngritën edhe shqetësime për kërcënime të mundshme ndaj vendeve të NATO-s dhe për mbështetjen ruse ndaj Iranit.
Zhvillimet vijnë në një moment tensionesh të larta. Po të enjten, Moska paralajmëroi se mund të godasë objektiva ushtarake britanike brenda ose jashtë Ukrainës si përgjigje ndaj përdorimit nga Kievi të raketave britanike me rreze të gjatë kundër objektivave në Rusi.
Kështu, ndërsa Trump përpiqet të zbusë frikën për një përplasje të drejtpërdrejtë Rusi-NATO, kontaktet e pazakonta mes drejtuesve të inteligjencës tregojnë se Uashingtoni dhe Moska po mbajnë të hapura kanalet e komunikimit.






















