Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka paguar një kafe në Damask me kartë Visa, në një gjest simbolik që shënon fundin e izolimit financiar të vendit dhe heqjen e Sirisë nga lista amerikane e shteteve sponsorizuese të terrorizmit.
Ngjarja u raportua nga Euronews dhe u konfirmua edhe nga Reuters, sipas të cilës Visa dhe Mastercard kanë nisur transaksionet e para ndërkombëtare me karta në Siri, pas vendimit të SHBA-së për të hequr Damaskun nga lista ku qëndronte që prej vitit 1979.
Në videon e publikuar nga autoritetet siriane, Al-Sharaa shihet në një kafene në Qytetin e Vjetër të Damaskut, i shoqëruar nga guvernatori i Bankës Qendrore, Mohammed Safwat Raslan. Ai paguan kafenë me Visa, një veprim i thjeshtë në dukje, por i pamundur për sirianët prej më shumë se 15 vitesh për shkak të sanksioneve dhe shkëputjes nga sistemi financiar ndërkombëtar.
“Për më shumë se 15 vjet, ky transaksion i thjeshtë ishte i pamundur”, thuhej në postimin zyrtar që shoqëronte videon.
Guvernatori i Bankës Qendrore e quajti heqjen nga lista amerikane “një hap historik” që rikthen Sirinë në sistemin ekonomik global. Sipas Reuters, Mastercard ka realizuar pagesën e parë ndërkombëtare në bashkëpunim me QNB Group, ndërsa Visa ka kryer testin e saj përmes Fransabank të Libanit dhe kompanisë siriane Paymera.
Heqja nga lista amerikane e shteteve sponsorizuese të terrorizmit i hap rrugë Sirisë për rikthimin e lidhjeve bankare ndërkombëtare, përdorimin e kartave të huaja, investime dhe rindërtimin e ekonomisë pas viteve të luftës dhe izolimit.
Për Al-Sharaa, pagesa e një kafeje me Visa në Damask ishte më shumë se një gjest publik. Ishte fotografia e një vendi që kërkon të tregojë se po del nga epoka e sanksioneve dhe po rikthehet, hap pas hapi, në sistemin financiar botëror.






















