Bota 27 August 2026, 12:53 Nga VNA

Tragjedi në SHBA/ Tre djem të një familjeje shqiptare humbin jetën në zjarr, katër të tjerë në gjendje kritike

Ndaje në Whatsapp
Tragjedi në SHBA/ Tre djem të një familjeje shqiptare humbin

Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridas, ku tre fëmijë, të gjithë djem, humbën jetën pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu një banesë dykatëshe. Katër persona të tjerë, mes tyre dy fëmijë, janë dërguar në spital në gjendje kritike.

Të afërm të familjes, të cilët mbërritën në vendngjarje, konfirmuan për mediat lokale se familja është me origjinë nga Shqipëria.

Alarmi për zjarrin u dha rreth orës 05:15 të mëngjesit të së mërkurës, 26 gusht. Sipas shefit të Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville (JFRD), Percy Golden, ekipet mbërritën brenda pak minutash dhe gjetën flakë të fuqishme në katin e parë, ndërsa kati i dytë ishte mbuluar nga tymi i dendur.

Skenat në vendngjarje kanë qenë dramatike. Një fqinj tregoi për News4JAX se persona që ndodheshin pranë shtëpisë ndërhynë për të ndihmuar në shpëtimin e një foshnjeje dhe një të rrituri, të cilët dolën nga një dritare e katit të dytë për t’u shpëtuar flakëve.

Në momentin kur mbërritën zjarrfikësit, dy të rritur dhe dy fëmijë kishin arritur të dilnin nga banesa. Ekipet e shpëtimit hynë menjëherë brenda për të kërkuar persona të tjerë, por gjatë kontrollit gjetën pa shenja jete tre djem. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike moshat e viktimave.

Katër personat që shpëtuan, dy të rritur dhe dy fëmijë, u transportuan me urgjencë në një spital të zonës. Gjendja e tyre është raportuar kritike.

Zjarrfikësit arritën t’i vendosnin flakët nën kontroll rreth orës 05:40, por banesa u shkatërrua rëndë. Zjarri shkaktoi dëme edhe në dy njësi të tjera ngjitur.

Pas tragjedisë, Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për të ndihmuar shtatë të rritur dhe gjashtë fëmijë të mbetur pa strehë.

“Nuk ka fjalë që mund të lehtësojnë peshën e një mëngjesi si ky”, deklaroi JFRD, duke shprehur ngushëllime për familjet që humbën njerëzit e tyre dhe mbështetje për të plagosurit.

Shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur se si nisi tragjedia që i mori jetën tre fëmijëve të familjes shqiptare.

Video

Përmbytjet katastrofike në Nepal dhe Tibet kanë shkaktuar mbi 200 të vdekur dhe rreth 1,300 të zhdukur, mes të cilëve mbi 300 turistë të huaj nga SHBA-ja, Gjermania e Spanja, si dhe punonjës koreano-jugorë. Ngjarja dyshohet se u shkaktua nga shembja e një akullnaje dhe një rrëshqitje masive dheu, e cila fillimisht u regjistrua nga USGS si lëkundje me magnitudë 4.4. Katastrofa ka shkatërruar fshatra, ura e rrugë kryesore, ndërsa shkencëtarët kujtojnë se ngrohja e shpejtë e rajonit të Himalajeve po nxit shkrirjen e akullnajave dhe reshjet extreme.

28 tonë domate dhe mijëra njerëz nga e gjithë bota! Rrugët e Buñol-it në Spanjë u kthyen në një lumë të kuq gjatë “La Tomatina”, festivalit të famshëm ku pjesëmarrësit zhvillojnë një betejë gjigante me domate. Festa që nisi nga një sherr spontan në vitin 1945 është sot një atraksion ndërkombëtar që sjell turistë nga e gjithë bota. Historia e plotë në linkun në koment⬇️

Një skenë e pazakontë është regjistruar në qytetin Hirosaki, në veri të Japonisë, ku qindra njerëz bashkuan forcat për të ndihmuar në zhvendosjen e një kështjelle me peshë rreth 400 tonë. Kështjella historike e Hirosakit u rikthye në pozicionin e saj origjinal pas përfundimit të punimeve të nevojshme të riparimit. Operacioni spektakolar u realizua me pjesëmarrjen e qindra personave, të cilët ndihmuan në lëvizjen e strukturës gjigante. Kështjella ishte zhvendosur përkohësisht për të mundësuar punimet restauruese dhe përforcuese.

Një katastrofë e rëndë ka goditur Nepalin pranë kufirit me Tibetin, ku një masë e fuqishme uji, balte dhe shkëmbinjsh përfshiu disa zona. Autoritetet nepaleze njoftuan se deri mbrëmjen e së mërkurës janë gjetur trupat e 157 viktimave, ndërsa mbi 800 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes të zhdukurve raportohet se janë edhe qindra turistë, shumë prej tyre shtetas të huaj. Përmbytjet kanë shkatërruar shtëpi, automjete, rrugë, ura dhe infrastrukturë tjetër në zonat e prekura. Pamjet nga vendngjarja tregojnë fuqinë e rrjedhës, e cila ka marrë përpara gjithçka që ka gjetur në rrugën e saj. Të dhënat paraprake sugjerojnë se katastrofa mund të lidhet me shembjen e një mase akulli dhe shkëmbinjsh nga një akullnajë, ndërsa autoritetet po hetojnë shkakun e saktë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme