Në Shqipëri, që nga krijimi i organeve të posaçme të hetimit dhe gjykimit, konkretisht SPAK dhe GJKKO, ka pasur debate jo të pakta dhe jo të lehta me qeverinë, si dhe përpjekje nga Kuvendi për të ndërhyrë apo për të zbehur rolin e tyre institucional.
Tensionet u rritën kur SPAK, kryesisht nën drejtimin e Altin Dumanit, filloi të ngrinte nivelin hierarkik të zyrtarëve ku arrinte “goditja” e Prokurorisë së Posaçme. Kjo përplasje kulmoi me rastin e ish-zëvendëskryeministres, për të cilën, megjithëse masa ishte pezullim nga detyra, qeveria vuri në lëvizje mekanizmin e Gjykatës Kushtetuese për të sfiduar prokurorinë e posaçme. Janë parë edhe beteja në gjykatë për të zhvlerësuar procese përmes goditjes së figurës së prokurorëve, si në rastin Veliaj kundër Dados.
Por ndërsa këto procese “madhore” marrin vëmendjen publike, në përditshmëri mbetet i zvarritur ose i shpërfillur zbatimi i një sërë vendimesh gjyqësore: nga rikthimi në punë apo dëmshpërblimi i punonjësve të pushuar, te çështjet e pronave, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe deri te rasti më i fundit i vendimit mbi pagat e gjyqtarëve.
Situata të përafërta debatesh mund të hasen edhe në vende të tjera. Por ajo që bie në sy në këto raste është forca dhe profesionalizmi i argumentit të gjykatave, sidomos kur theksojnë rëndësinë e zbatimit të vendimeve të pushtetit gjyqësor dhe pasojat që sjell moszbatimi i tyre.
Një debat i tillë u zhvillua në qershor të këtij viti ndërmjet qeverisë dhe Gjykatës së Lartë në Izrael për moszbatimin e një vendimi nga ekzekutivi. Gjykata e Lartë izraelite paralajmëroi për “anarki ligjore”, shpërbërje të shoqërisë dhe pushtet të pakufizuar të qeverisë nëse zyrtarët e zgjedhur dhe zyrtarët publikë shpërfillnin vendimet e saj.
Kjo deklaratë erdhi në përgjigje të një qëndrimi të qeverisë izraelite mbi pavlefshmërinë e një vendimi gjykate. Madje, gjyqtarët paralajmëruan se zyrtarët e zgjedhur dhe ata publikë që nuk u binden vendimeve gjyqësore mund të mos gëzojnë imunitet nga paditë civile për dëmshpërblim.
Ministrat e qeverisë izraelite u kundërpërgjigjën me retorikë të ashpër. Ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, e krahasoi gjykatën me “diktatorë”, ndërsa ministri i Financave, Bezalel Smotrich, e akuzoi gjykatën se ishte një “mafie gjyqësore” që përdorte “shantazhin” për të arritur qëllimet e saj.
Përplasja mes gjyqësorit dhe qeverisë në Izrael zhvillohet në sfondin e një fushate katërvjeçare të kësaj të fundit për të dobësuar Gjykatën e Lartë dhe mekanizmat ligjorë që kufizojnë pushtetin e qeverisë, si dhe për të rritur ndikimin mbi vetë gjyqësorin.
Megjithatë, Gjykata e Lartë, duke cituar vendime të mëhershme, u shpreh me dinjitet profesional se “detyrimi për t’iu bindur dhe për të respektuar vendimet e gjykatave është ndër kushtet themelore mbi të cilat mbështetet shteti i së drejtës në një shtet demokratik”.
Sipas gjykatës, “pa respektimin e vendimeve gjyqësore, parimi i shtetit të së drejtës cenohet dhe rendi shoqëror shpërbëhet”. Dhe paralajmërimi i saj ishte i qartë: “Secili do të bëjë siç e sheh të arsyeshme dhe distanca midis shtetit të së drejtës dhe anarkisë është sa një fije floku.”
Në këtë pikë, debati nuk është vetëm izraelit. Ai vlen edhe për Shqipërinë, ku vendimet gjyqësore shpesh respektohen me vonesë, zbatohen me përzgjedhje ose lihen të treten në burokraci. Sepse shteti i së drejtës nuk matet vetëm me ngritjen e institucioneve të reja, por me gatishmërinë e pushtetit për t’iu bindur vendimeve të tyre edhe kur ato nuk i pëlqejnë.






















