
Princi Harry dhe Meghan Markle pritet të mbërrijnë sot në Britani së bashku me dy fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet, sipas raportimeve të BBC.
Duka dhe Dukesha e Sussex raportohet se po udhëtojnë privatisht nga Kalifornia drejt Britanisë. I pyetur për udhëtimin, një zëdhënës i çiftit refuzoi të jepte detaje, duke deklaruar se “nuk është diçka për të cilën do të komentonim”.
Raportimet vijnë pasi javën e kaluar u bë e ditur se Harry dhe Meghan planifikojnë të zhvendosen në Britani në fund të gushtit.
Megjithatë, kthimi nuk nënkupton rikthimin e tyre në detyrat zyrtare mbretërore. Çifti pritet të jetojë në Britani si individë privatë dhe si anëtarë të familjes mbretërore që nuk ushtrojnë funksione zyrtare.
Familja pritet të vendoset në një rezidencë private në rajonin Cotswolds, jashtë Londrës. Ndërkohë, Archie dhe Lilibet raportohet se janë regjistruar në shkollë, ndërsa viti i ri shkollor nis javën e ardhshme.
Harry dhe Meghan u tërhoqën nga rolet e tyre si anëtarë aktivë të familjes mbretërore në fillim të vitit 2020. Në mars të atij viti, çifti u zhvendos në Kaliforni, ku ka jetuar së bashku me fëmijët.
Mbreti Charles raportohet se është informuar në fillim të këtij muaji për vendimin e familjes për t'u kthyer në Britani. Në korrik, Harry, Meghan dhe dy fëmijët vizituan Mbretin në rezidencën e tij në Highgrove, por sipas raportimeve, çështja e zhvendosjes nuk u diskutua gjatë takimit.






















