E përditshmja izraelite “Maariv” raporton se luftimet e zgjatura në Gaza kanë rënduar personelin, forcat rezerviste dhe pajisjet ushtarake, ndërsa 53,000 rezervistë mbahen çdo ditë në detyrë aktive.
Zein Khalil dhe Tarek Chouiref
Në më pak se tre vjet luftë ushtria izraelite ka përdorur aq municione sa ka përdorur gjatë tri dekadave të mëparshme, raportoi të dielën gazeta e përditshme izraelite “Maariv”, duke vënë në dukje presionin në rritje mbi personelin, pajisjet dhe financat e saj.
Sipas gazetës, aktiviteti i Forcave Ajrore izraelite gjatë kësaj periudhe ka qenë gjithashtu i barasvlershëm me rreth nëntë vjet operacionesh në kushte normale, ndërsa tanket dhe transportuesit e blinduar kanë konsumuar mijëra motorë.
“Maariv” tha se pajisjet ushtarake mund të zëvendësohen ose riparohen, por paralajmëroi se pasojat mbi personelin janë shumë më të vështira për t’u rikthyer.
Sipas raportit, vetëm ushtria, pa përfshirë agjencitë e tjera izraelite të sigurisë, ka humbur 1,138 pjesëtarë, ndërsa 11,730 të tjerë janë njohur zyrtarisht si persona që kanë pësuar plagosje fizike ose dëmtime psikologjike.
Gazeta tha se këtyre shifrave në të ardhmen mund t’u shtohen edhe mijëra persona të tjerë që vuajnë nga trauma psikologjike.
Shenja lodhjeje po shfaqen edhe te ushtarët profesionistë.
Sipas gazetës, një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të cilëve u janë ofruar poste komanduese kanë zgjedhur në vend të tyre role me më pak kërkesa, por në prapavijë ose janë larguar plotësisht nga shërbimi ushtarak.
Ndërkohë, ushtria po mban mesatarisht 53,000 rezervistë në detyrë aktive çdo ditë.
“Maariv” tha se vetëm një muaj shërbim rezervist vitin e kaluar kushtoi rreth 2.1 miliardë shekelë (703 milionë dollarë), shumë e barabartë me çmimin e shtatë avionëve luftarakë F-35 ose 70 tankeve Merkava.
Aktualisht, forcat izraelite janë aktualisht të dislokuara në atë që gazeta i përshkroi si tre “breza sigurie” në Gaza, Liban dhe Siri, përveç Bregut Perëndimor të pushtuar, i cili, sipas saj, konsumon pjesën më të madhe të fuqisë njerëzore ushtarake.
Pesë batalione izraelite janë dislokuar përgjatë të ashtuquajturës vijë e verdhë në Gaza, duke mbuluar rreth 60% të territorit të enklavës, së bashku me dy batalione të përforcuara në kufi dhe forca të tjera të gatishmërisë dhe mbrojtjes rajonale.
“Maariv” vuri në pikëpyetje qëndrueshmërinë e një dislokimi kaq të gjerë, duke thënë se ai vendos një barrë të rëndë financiare dhe njerëzore mbi ushtrinë.
Gjithashtu, gazeta shprehu shqetësime lidhur me të ardhmen e ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin, duke vënë në dukje se marrëveshja aktuale skadon në vitin 2028, pasi ka siguruar rreth 33 miliardë dollarë gjatë dekadës së fundit.
Ajo kritikoi kryeministrin Benjamin Netanjahu për sinjalizimin se Izraeli do të kërkonte në një marrëveshje të ardhshme vetëm rreth gjysmën e vlerës së paketës ekzistuese.
Sipas gazetës, zyrtarë të lartë izraelitë kishin besuar më parë se administrata Trump ishte e gatshme të miratonte një marrëveshje tjetër 10-vjeçare me një vlerë të ngjashme.
“Maariv” shtoi se ushtrisë përfundimisht do t’i duhet të zvogëlojë përmasat e dislokimeve të saj, si për të kursyer burimet, ashtu edhe për të ruajtur personelin e saj.






















