Bota 25 August 2026, 21:45 Nga VNA

Erdogan ndez sërish retorikën kundër Izraelit: “Tregtarët e gjakut dhe gjenocidarët do të humbasin”

Ndaje në Whatsapp
Erdogan ndez sërish retorikën kundër Izraelit:

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka ashpërsuar sërish tonet në një fjalim me ngarkesë të fortë historike dhe politike, duke folur për “gjenocidarë”, “tregtarë gjaku” dhe “duar të ndyra” që, sipas tij, po përpiqen të pengojnë rrugën e Turqisë dhe stabilitetin e rajonit.

Deklaratat u bënë në Ahlat të Bitlisit, gjatë ceremonive për 955-vjetorin e Betejës së Manzikertit, një moment historik që Turqia e përdor si simbol të hyrjes së turqve në Anadoll dhe të fillimit të pranisë së tyre të përhershme në këtë hapësirë.

Sipas medias turke Türkiye Today, ky ishte fjalimi i parë publik i Erdoganit pas sulmeve ajrore të Izraelit më 18 gusht ndaj bazës Abu al-Duhur në Idlib të Sirisë. Në fjalim, Erdogan nuk e përmendi Izraelin me emër, por mesazhi politik ishte i qartë dhe u lexua si vazhdim i përplasjes së tij të ashpër me Tel Avivin.

“Pavarësisht se çfarë bëni, nuk mund të na largoni nga rruga jonë dhe nuk mund të na pengoni të përqafohemi si vëllezër”, tha Erdogan, duke iu referuar bashkëjetesës dhe bashkëpunimit mes turqve, kurdëve dhe arabëve.

Presidenti turk u shpreh se Ankaraja është në dijeni të planeve që po bëhen në rajon.

“Ne e dimë shumë mirë çfarë llogarish po bëni. I dimë shumë mirë duart e ndyra që shtrihen drejt atdheut tonë, kombit tonë dhe paqes së rajonit tonë”, deklaroi ai.

Në pjesën më të fortë të fjalimit, Erdogan tha se ata që përfitojnë nga terrorizmi, gjaku dhe destabilizimi nuk do të fitojnë.

“Oportunistët që përfitojnë nga terrorizmi do të humbasin. Tregtarët e gjakut dhe gjenocidarët do të humbasin. Ata që duan ta zhysin rajonin tonë në destabilitet do të humbasin”, tha Erdogan.

Sipas tij, fitues do të jenë “fronti i njerëzimit, vëllazërisë, paqes dhe stabilitetit”, si dhe kombi turk me 86 milionë qytetarët e tij.

Erdogan e vendosi fjalimin në kornizën e projektit politik që ai e quan “Shekulli Turk”, duke folur për agimin e një “Turqie të madhe dhe të fuqishme”.

“Askush të mos ketë dyshim: agimi i një Turqie të madhe dhe të fuqishme ka lindur dhe ndërtimi i Shekullit Turk ka nisur”, tha ai.

Presidenti turk shtoi se jo vetëm Turqia, por edhe popujt e rajonit do të përfitojnë nga kjo periudhë e re. Ai përmendi Sirinë, Irakun dhe rajonin më të gjerë, duke thënë se ato do të arrijnë klimën e paqes dhe stabilitetit që kanë kërkuar prej vitesh.

Fjalimi vjen në një moment kur Turqia po përpiqet të paraqitet si aktor vendimtar në Lindjen e Mesme, ndërsa marrëdhëniet me Izraelin mbeten në nivel të tensionuar për shkak të luftës në Gaza, sulmeve në Siri dhe qëndrimeve gjithnjë e më të ashpra të Ankarasë ndaj qeverisë izraelite.

Video

Prindërit në Gaza janë paralajmëruar që të mos lejojnë fëmijët e tyre të ngrenë balona në qiell, pas tensioneve të reja me Izraelin. Paralajmërimi erdhi pasi disa balona të ngritura nga fëmijët në enklavën e shkatërruar nga lufta kaluan kufirin dhe përfunduan mbi fshatra izraelite. Autoritetet izraelite kanë kërcënuar me një reagim të fuqishëm nëse raste të tilla vazhdojnë. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim se edhe një aktivitet i zakonshëm i fëmijëve mund të kthehet në burim të ri tensioni.

28 tonë domate dhe mijëra njerëz nga e gjithë bota! Rrugët e Buñol-it në Spanjë u kthyen në një lumë të kuq gjatë “La Tomatina”, festivalit të famshëm ku pjesëmarrësit zhvillojnë një betejë gjigante me domate. Festa që nisi nga një sherr spontan në vitin 1945 është sot një atraksion ndërkombëtar që sjell turistë nga e gjithë bota. Historia e plotë në linkun në koment⬇️

Një katastrofë e rëndë ka goditur Nepalin pranë kufirit me Tibetin, ku një masë e fuqishme uji, balte dhe shkëmbinjsh përfshiu disa zona. Autoritetet nepaleze njoftuan se deri mbrëmjen e së mërkurës janë gjetur trupat e 157 viktimave, ndërsa qindra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes të zhdukurve raportohet se janë edhe qindra turistë, shumë prej tyre shtetas të huaj. Përmbytjet kanë shkatërruar shtëpi, automjete, rrugë, ura dhe infrastrukturë tjetër në zonat e prekura. Pamjet nga vendngjarja tregojnë fuqinë e rrjedhës, e cila ka marrë përpara gjithçka që ka gjetur në rrugën e saj. Të dhënat paraprake sugjerojnë se katastrofa mund të lidhet me shembjen e një mase akulli dhe shkëmbinjsh nga një akullnajë, ndërsa autoritetet po hetojnë shkakun e saktë.

Ergys Agasi del nga ambientet e Policisë, niset drejt Bllokut të Sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme