Politika 27 August 2026, 08:17 Nga VNA

Njeriu i quajtur “eminenca gri” e Ramës: si e shmangu kryeministri emrin e Ergys Agasit para arrestimit

Ndaje në Whatsapp
Njeriu i quajtur “eminenca gri” e Ramës: si e shmangu

Ergys Agasi është konsideruar prej kohësh si një prej njerëzve më të afërt të Edi Ramës, madje nga kundërshtarët e tij politikë është cilësuar edhe si “eminenca gri” e kryeministrit. Por vetë Rama nuk e ka pranuar asnjëherë publikisht këtë rol. Sa herë është pyetur për Agasin, kryeministri ka zgjedhur ose ta shmangë emrin, ose ta mbrojë indirekt, duke thënë se nuk duhet folur për njerëz që “nuk janë aty”, “nuk kanë poste” dhe “nuk mund të mbrohen”.

Rasti më i fortë ishte intervista me RAI 3, në qershor 2024, kur gazetari italian e pyeti për Agasin, pasi Arben Ahmetaj e kishte quajtur “koordinatorin e Ramës me grupet kriminale”. Rama reagoi ashpër: “Mos e ul nivelin e gazetarisë.” Më pas tha se Agasi “është në punën e vet”, “nuk është këtu dhe nuk mund të mbrohet”, duke kërkuar që të mos “mbahen njerëzit në gojë kot”. Kur u pyet nëse Agasi ishte “njeriu hije” i pushtetit, Rama u përgjigj shkurt: “Jo.”

Emri i Agasit doli sërish në konferencën e fundvitit, më 30 dhjetor 2025, kur kryeministri u pyet nëse ai ishte pjesë e “skuadrës së suksesshme” të AKSHI-t, pasi emri i tij përmendej në dosjen e SPAK-ut për tenderat. Edhe atëherë Rama zgjodhi distancën: “Kjo është pjesë e hetimeve, por unë nuk kam asnjë dijeni për këtë dhe nuk mund të bëj asnjë koment për gjysmë të vërteta që dalin lart e poshtë.” Në vend që të fliste për Agasin, ai mbrojti publikisht drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, duke thënë se ajo kishte “respektin e tij të padiskutueshëm”.

Në maj 2026, një tjetër episod u lexua politikisht: Rama dekoroi Bardhyl Agasin, babain e Ergys Agasit, si “qytetar shembullor” të Durrësit. Kryeministri nuk e përmendi djalin gjatë ceremonisë, por opozita e pa dekorimin si një mesazh mbrojtjeje ndaj familjes Agasi.

Arrestimi i Ergys Agasit më 26 gusht 2026 e vendos këtë histori në një pikë të re. Njeriu që për vite është përfolur si një figurë e rëndësishme në prapaskenat e pushtetit, por që Rama nuk e ka pranuar kurrë publikisht si të tillë, tashmë ndodhet përballë drejtësisë. Dhe bashkë me të, në provë është edhe vetë kryeministri: jo vetëm për atë që ka thënë për Agasin, por edhe për atë që ka zgjedhur të mos thotë.

Video

Prindërit në Gaza janë paralajmëruar që të mos lejojnë fëmijët e tyre të ngrenë balona në qiell, pas tensioneve të reja me Izraelin. Paralajmërimi erdhi pasi disa balona të ngritura nga fëmijët në enklavën e shkatërruar nga lufta kaluan kufirin dhe përfunduan mbi fshatra izraelite. Autoritetet izraelite kanë kërcënuar me një reagim të fuqishëm nëse raste të tilla vazhdojnë. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim se edhe një aktivitet i zakonshëm i fëmijëve mund të kthehet në burim të ri tensioni.

28 tonë domate dhe mijëra njerëz nga e gjithë bota! Rrugët e Buñol-it në Spanjë u kthyen në një lumë të kuq gjatë “La Tomatina”, festivalit të famshëm ku pjesëmarrësit zhvillojnë një betejë gjigante me domate. Festa që nisi nga një sherr spontan në vitin 1945 është sot një atraksion ndërkombëtar që sjell turistë nga e gjithë bota. Historia e plotë në linkun në koment⬇️

Një katastrofë e rëndë ka goditur Nepalin pranë kufirit me Tibetin, ku një masë e fuqishme uji, balte dhe shkëmbinjsh përfshiu disa zona. Autoritetet nepaleze njoftuan se deri mbrëmjen e së mërkurës janë gjetur trupat e 157 viktimave, ndërsa qindra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes të zhdukurve raportohet se janë edhe qindra turistë, shumë prej tyre shtetas të huaj. Përmbytjet kanë shkatërruar shtëpi, automjete, rrugë, ura dhe infrastrukturë tjetër në zonat e prekura. Pamjet nga vendngjarja tregojnë fuqinë e rrjedhës, e cila ka marrë përpara gjithçka që ka gjetur në rrugën e saj. Të dhënat paraprake sugjerojnë se katastrofa mund të lidhet me shembjen e një mase akulli dhe shkëmbinjsh nga një akullnajë, ndërsa autoritetet po hetojnë shkakun e saktë.

Ergys Agasi del nga ambientet e Policisë, niset drejt Bllokut të Sigurisë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme