SPAK ka sekuestruar automjetin luksoz në pronësi të Ergys Agasit, i cili ishte shpallur në kërkim dhe ishte vendosur nën sekuestro, por deri pak kohë më parë nuk ishte bërë e mundur gjetja e tij.
Bëhet fjalë për një automjet tip Land Rover Defender, i cili ishte fshehur në garazhin e një prej vilave në kompleksin Equos Resort. Automjeti është zbuluar nga administratorët e APSK-së, gjatë procesit të administrimit të pasurive të sekuestruara, të cilët më pas kanë njoftuar Prokurorinë e Posaçme.
Sipas të dhënave, makina është gjetur rreth dy javë më parë. Zbulimi i automjetit dhe verifikimet e kryera në vijim janë zhvilluar në të njëjtën periudhë kur autoritetet kanë nisur gjurmimin e Ergys Agasit.
Agasi u arrestua ditën e djeshme në Durrës, së bashku me ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Ulian Shlataraku. Arrestimet janë kryer në kuadër të hetimeve të SPAK, ndërsa tashmë në fokus të autoriteteve është edhe administrimi dhe identifikimi i pasurive që dyshohet se lidhen me personat nën hetim.
Land Rover Defender, i cili ndodhej i fshehur në një prej garazheve të kompleksit, tashmë është marrë nën administrimin e autoriteteve dhe është sekuestruar në kuadër të procedurës hetimore.
Zbulimi i automjetit ngre pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si pasuria ishte mbajtur e fshehur, pavarësisht se ajo rezultonte e kërkuar dhe nën sekuestro. Administratorët e pasurive të sekuestruara kanë evidentuar automjetin gjatë kontrollit të pronave nën administrim dhe ia kanë referuar rastin SPAK-ut.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar të gjitha pasuritë dhe asetet që mund të lidhen me Agasin dhe personat e tjerë të përfshirë në dosjen hetimore, ndërsa pritet që SPAK të japë më shumë detaje mbi akuzat dhe rrethanat e arrestimeve.






















