
Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i rëndë në Rodopi të Greqisë, ku 53-vjeçari Bujar Meço, me origjinë nga Gramshi, dyshohet se vrau me thikë bashkëshorten e tij, Esma Meço, 44 vjeçe, dhe më pas tentoi t’i jepte fund jetës.
Sipas raportimeve të mediave greke, çifti ishte ndarë kohët e fundit. Viktima, e cila punonte sezonalisht jashtë Rodopit, ishte kthyer në fshat për të festuar ditëlindjen e vajzës së saj 16-vjeçare.
Por kthimi i saj në banesën familjare përfundoi në tragjedi. Sipas mediave greke, 53-vjeçari dyshohet se e goditi bashkëshorten me thikë në qafë, duke i shkaktuar plagë fatale. Pas krimit, ai dyshohet se u vetëplagos dhe më pas konsumoi naftë në përpjekje për t’i dhënë fund jetës.
Në momentin e ngjarjes, vajza 16-vjeçare e çiftit ndodhej në një dhomë tjetër të banesës. Ishte pikërisht ajo që telefonoi autoritetet dhe njoftoi se babai kishte sulmuar nënën e saj.
Esma Meço u transportua drejt spitalit nga djali i saj, por pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, 44-vjeçarja kishte ndërruar jetë.
Ndërkohë, Bujar Meço u dërgua në spital, ku vijon të qëndrojë i shtruar. Sipas raportimeve, gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Të dhënat e publikuara nga mediat greke tregojnë se problemet mes çiftit kishin nisur vite më parë. Në vitin 2022, Esma Meço kishte denoncuar bashkëshortin e saj për kërcënim.
Pas kallëzimit të 44-vjeçares, Bujar Meço ishte arrestuar dhe ishte dërguar përpara autoriteteve gjyqësore.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivet e krimit të rëndë.






















