
Dy deputetët e Partisë Socialiste, Aulona Balykbashi dhe Admir Kadeli, janë autorët e projektligjit që propozon ndryshimin e formulës së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Nisma u depozitua më 31 korrik, në ditën e fundit të afatit të lënë nga Gjykata Kushtetuese për korrigjimin e ligjit. Por, ndërsa ora po skadonte për zbatimin e vendimit, Kuvendi kishte mbyllur punimet dhe kishte hyrë në pushimet parlamentare. Si rezultat, projektligji u regjistrua, por nuk u miratua brenda afatit të kërkuar nga Gjykata.
Relacioni shoqërues argumenton se rritja e koeficientit bazë nga 0.36 në 0.38 është e mjaftueshme për të rikthyer garancitë kushtetuese të pagës së magjistratëve. Sipas logjikës së paraqitur nga autorët, ndryshimi korrigjon efektet e formulës së mëparshme, e cila, sipas tyre, la të pandryshuara pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në një kohë kur pagat e kategorive të tjera në administratën shtetërore u rritën ndjeshëm.
Në argumentimin e tyre, deputetët mbështesin qëndrimin se koeficienti 0.38 krijon një ekuilibër mes pavarësisë financiare të magjistratëve dhe proporcionalitetit të sistemit të pagave publike. Sipas relacionit, nuk ka nevojë për një koeficient më të lartë, pasi me formulën e re paga e një gjyqtari të shkallës së parë arrin nivelin e pagës së Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit, pa e tejkaluar atë.
Po sipas relacionit, kjo konsiderohet prova se objektivi i mbrojtjes së pavarësisë ekonomike të magjistratëve është përmbushur, ndërsa një rritje më e madhe do të cenonte proporcionalitetin dhe koherencën e skemës së pagave në sektorin publik.
Një tjetër argument i përdorur nga nismëtarët është se Gjykata Kushtetuese nuk i ka imponuar Kuvendit një formulë të caktuar, por vetëm detyrimin për të ndërtuar një mekanizëm që garanton pavarësinë kushtetuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas tyre, koeficienti 0.38 përmbush pikërisht këtë standard.
Depozitimi në ditën e fundit
Projektligji mban firmat e Aulona Balykbashit dhe Admir Kadelit dhe u depozitua më 31 korrik, afati i fundit i vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, Kuvendi kishte mbyllur tashmë sesionin parlamentar, duke bërë që nisma të mos shqyrtohej dhe të mos miratohej brenda afatit të kërkuar nga vendimi kushtetues.
Kjo pritet të ngrejë diskutime nëse detyrimi i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet i përmbushur vetëm me depozitimin e projektligjit apo kërkonte miratimin e tij brenda afatit.
Përplasja për pagat
Debati për pagat e magjistratëve ka qenë një nga përplasjet më të forta mes mazhorancës dhe sistemit të drejtësisë. Kryeministri Edi Rama ka mbajtur publikisht qëndrimin se sistemi i drejtësisë duhet të justifikojë nivelin e lartë të pagave me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nga ana tjetër, gjyqtarët dhe prokurorët kanë argumentuar se garancitë financiare nuk janë privilegj, por një element kushtetues për të mbrojtur pavarësinë e tyre nga ndikimet politike apo ekonomike.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i dha të drejtë këtij argumenti, duke rrëzuar formulën e mëparshme dhe duke i kërkuar Kuvendit të ndërhyjë me një skemë të re. Përgjigjja e shumicës erdhi në ditën e fundit të afatit, përmes projektligjit të firmosur nga dy deputetët socialistë.





























