
Shoqëria shtetërore Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit do të marrë në administrim edhe dy nga shërbimet më të lakmuara shëndetësore në vend, Programin e Kontrollit Mjekësor Bazë (Check-Up) dhe dializën. Lajmi u dha nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, gjatë një daljeje publike krah më krah me administratoren e OSHIS, Arisa Cane, ku dy zyrtaret u shfaqën me një kimi të dukshme përpara kamerave teksa i shpjegonin njëra-tjetrës se sa mirë e kanë organizuar punën.
Sipas ministres, ky vendim i Këshillit të Ministrave do të sjellë më shumë kontroll, eficiencë dhe siguri për pacientët përmes një operatori publik të fortë.
“Me vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave, OSHISH do të administrojë edhe dy shërbime kombëtare me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, Check-Up dhe dializën. Kjo do të thotë më shumë standardizim, më shumë kontroll mbi cilësinë, më shumë eficiencë dhe mbi të gjitha më shumë siguri për pacientët. Ne po ndërtojmë një operator publik të fortë, të aftë për të garantuar shërbime të qëndrueshme dhe me standarde të njëjta në të gjithë vendin,” u shpreh ministrja Sala.
Por, e thënë pa doreza, të gjitha ato shërbime që dikur mbaheshin nga disa privatë, sot po konsolidohen nën menaxhimin e një kompanie shtetërore që drejtohet nga ish-punonjësja e Spitalit Amerikan, Arisa Cane, dhe varen nga ministria që drejtohet nga Evis Sala, ish-rektore në universitetin e të njëjtit pronar, biznesmenit të spitaleve private Klodian Allajbeu.
Kjo lëvizje ngre natyrshëm pikëpyetjen se sa realisht po i rikthehen shtetit këto shërbime, apo thjesht po kalojnë nën menaxhimin indirekt të ish-punonjëseve të të njëjtit biznesmen. Siç ka raportuar më herët VNA, ky është shndërruar tashmë në një model të ripërsëritur në shëndetësinë shqiptare, ku ish-kuadrot e Spitalit Amerikan emërohen me lehtësi në pozicione kyçe shtetërore për të administruar paratë e taksapaguesve.
Sfondi bëhet akoma më interesant po të kesh parasysh historikun e koncesionit të sterilizimit, një kontratë 10-vjeçare prej 100 milionë eurosh e përfolur gjatë për korrupsion dhe e marrë nën hetim nga drejtësia. Pas përfundimit të kontratës privatizuese, qeveria krijoi në fund të vitit 2025 shoqërinë OSHIS. dhe në krye të saj vendosi Arisa Canen, një administratore pa asnjë përvojë në drejtimin e institucioneve publike, karriera e të cilës deri dje ishte e kufizuar brenda laboratorëve të fertilizimit in vitro në privat.
Çështja bëhet edhe më pikante kur kujton se grupi i Allajbeut mban sot dy nga koncesionet më me peshë në shëndetësi, atë të dializës dhe të laboratorëve, me një vlerë marramendëse prej 214 milionë eurosh. Edhe pse koncesioni i sterilizimit zyrtarisht ka përfunduar, fondet publike po qëndrojnë po aty dhe tashmë do të shpërndahen përmes tenderëve që do të menaxhohen nga OSHIS.
Nëse kjo skemë emërimesh zinxhir nga i njëjti spital privat te drejtimi i parave të shtetit është një "rastësi" meritokracie apo një model i mirëmenduar i shtrirjes së ndikimit të Allajbeut mbi fondet e shëndetësisë? Përgjigjen për këtë do ta japin tenderët e ardhshëm dhe emrat e kompanive që do të marrin milionat e radhës nga OSHIS.






















