Një 26-vjeçar është arrestuar pasi u ngjit mbi çatinë e një spitali në Uells, i veshur si personazhi mitologjik “Grim Reaper” (Vdekja), duke qëndruar për minuta të tëra mbi hyrjen kryesore dhe duke vështruar pacientët, stafin dhe vizitorët.
Ngjarja ndodhi në spitalin Ysbyty Glan Clwyd, në St Asaph, ku policia dhe zjarrfikësit ndërhynë pas raportimeve për një person të maskuar me mantel të zi dhe kapuç, i cili mbante edhe një objekt që dukej si teh i gjatë.
I identifikuar si Leon Gillespie, 26 vjeç, ai u arrestua dhe u akuzua për shkaktim shqetësimi në ambientet e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS), pa asnjë arsye të ligjshme.
Incidenti zgjati rreth 50 minuta dhe mobilizoi katër automjete policie dhe një mjet zjarrfikës.
Në gjykatë, Gillespie pranoi fajësinë dhe u dënua me 200 paund gjobë, si dhe u urdhërua të paguante kompensim dhe shpenzimet gjyqësore.
Po ashtu, ai pranoi edhe dy raste vjedhjeje të mëparshme, ku kishte marrë ushqim për mace, rërë higjienike, si edhe produkte ushqimore e pije nga dyqane në Llandudno.
Autoritetet shëndetësore theksuan se kanë tolerancë zero ndaj çdo sjelljeje që cenon sigurinë apo qetësinë në ambientet spitalore.






















