Ministria e Drejtësisë nisi sot zyrtarisht kërkesën për ekstradimin e Ermal Beqirit, që u arrestua teksa pilotonte një avion të lehtë civil mbi centralin bërthamor në Pebly.
“Ministria e Drejtësisë, në përputhje me legjislacionin shqiptar, marrëveshjet ndërkombëtare dhe procedurat e bashkëpunimit juridik me Republikën Franceze, ka përcjellë sot pranë autoriteteve kompetente franceze kërkesën për ekstradimin e shtetasit Ermal Beqiri, të përcjellë nga organi procedues, së bashku me dokumentacionin përkatës”, njoftoi ministria.
Biznesmeni Beqiri ishte në kërkim nga SPAK për aferën e AKSHI-t.
Informacion mbi procedurat e ekstradimit
Ministria e Drejtësisë njoftohet nga autoritetet kompetente për lokalizimin ose arrestimin e një personi në një shtet të huaj, si edhe për afatin brenda të cilit duhet të paraqitet kërkesa formale për ekstradim.
Prokuroria kompetente paraqet pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradim, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës procedural.
Drejtoria përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë verifikon dokumentacionin dhe ndërmerr veprimet për përkthimin e tij në gjuhën e shtetit të kërkuar ose në gjuhën e përcaktuar nga instrumentet ndërkombëtare.
Pas përfundimit të përgatitjes së dosjes, Ministri i Drejtësisë nënshkruan kërkesën për arrestim provizor (kur është e nevojshme) dhe/ose ekstradim.
Kërkesa dhe dokumentacioni u përcillen autoriteteve të shtetit të kërkuar në rrugë diplomatike, sipas procedurave ndërkombëtare.
Për të përshpejtuar procedurën, dokumentacioni mund të transmetohet paralelisht edhe në rrugë elektronike ndërmjet autoriteteve kompetente.
Kërkesa për ekstradim mbështetet në kërkesën e prokurorisë kompetente dhe në legjislacionin shqiptar, përfshirë Kodin e Procedurës Penale, ligjin për juridiksionin në marrëdhëniet me autoritetet e huaja dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme.
Afati për paraqitjen e kërkesës formale dhe dokumentacionit përcaktohet nga konventat ndërkombëtare, veçanërisht nga Konventa Evropiane për Ekstradimin, e cila parashikon afatet përkatëse (40 ditë sipas nenit 16 të Konventës Evropiane për Ekstradimin) pas arrestimit ose ndalimit provizor.
Ministria e Drejtësisë siguron që kërkesa të dërgohet brenda afateve ligjore dhe ndjek në vijim komunikimin me autoritetet e shtetit të kërkuar deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit.






















